Pas bastisjeve që Krimet Ekonomike zhvilluan në zyrat qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës në Prishtinë, Prokuroria Speciale ka njoftuar se është arrestuar drejtori Nagip Krasniqi. Mbi kryeshefin e KEK-ut, rëndojnë dyshohet për tri vepra penale, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas Prokurorisë, Krasniqi është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprat “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.
Po ashtu, bëhet e ditur se njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuter, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, thuhet në njoftim.
Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, Krasniqi është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.