Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka bërë thirrje prapë sot që serbët nga Kosova të mos dalin në zgjedhjet e 23 prillit.
“Ne jemi në një situatë të vështirë, por vullneti i popullit tonë ishte i tillë që ata pothuajse unanimisht morën vendim që të mos marrin pjesë. Kështu vendosën njerëzit tanë në veri. Nesër populli serb me qetësi dhe përgjegjësi do t’i shikojë me përbuzje ata të cilët do të tërhiqen zvarrë nga Mitrovica e Jugut për të votuar dhe për të zgjedhur qeverinë në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq”, tha ai pas prezantimit të kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Serbisë “Granit 2023” në Batajnicë.
Ai përsëriti se ishte një vendim i serbëve nga Kosova dhe jo i imponuar nga Beogradi dhe shtoi se “po të më kishin pyetur deri në ditën e fundit, do të kisha peshuar atë që ishte më pak e keqe për ne”.
Vuçiq ka komentuar edhe deklaratën e zëdhënësit të KE-së, Petar Stano, i cili ka thënë se është i zhgënjyer nga vendimi i serbëve që të mos marrin pjesë në zgjedhje.
“U habita kur e dëgjova deklaratën e Stanos se ishte i zhgënjyer me dështimin e serbëve. Kemi marrë pjesë në 4 apo 5 cikle të ndryshme zgjedhore deri më tani dhe formimi i Asociacionit nuk ka qenë i nevojshëm në asnjërën prej tyre”, tha Vuçiq për Euronews Serbia.
“Që zgjedhjet të bëhen në stacione dhe kontejnerë policie, me 550 veta të armatosur deri në dhëmbë që duhet të sigurojnë 1 deri në 2 për qind që do të dalin? Unë u bëj thirrje serbëve që t’i zhgënjejnë edhe më shumë, të shohin sa të bashkuar jemi dhe se ata nuk na shkelin dot”, ka shtuar ai.