Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, që të dalin nesër në zgjedhje.
Osmani tha se zgjedhjet janë gurthemeli i secilës demokraci dhe dita e zgjedhjeve është ditë kur zëri i qytetarëve dëgjohet nga të gjithë.
“Zgjedhjet e 23 prillit janë moment i rëndësishëm për ju dhe për të ardhmen e komunave tuaja”, thuhet në deklaratën e Osmanit.
Osmani theksoi se e ka parasysh që shumë prej qytetarëve atje kanë qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’ju detyrojnë të heqin dorë nga zëri dhe fuqia e tyre për ta formësuar të ardhmen e komunave.
Megjithatë, tha se i siguron se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira, të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar.
“Ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe. Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023. Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet këtë të diel, nëpërmjet votës së lirë e demokratike. Mbi të gjitha, pjesëmarrja juaj në zgjedhje do t’u dërgojë një mesazh të fortë atyre që kërkojnë t’ju frikësojnë dhe shtypin, se nuk do të mund t’ju heshtin dhe se zyrtarët e zgjedhur nga ju do t’ju shërbejnë juve dhe interesit të të gjithë qytetarëve të komunës”, ka shtuar ajo.
Ajo shtoi se e drejta e votës është e garantuar me kushtetutë dhe ligje, ndaj atë e gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.
“Komunat kanë përgjegjësi të qëndrojnë afër qytetarëve, duke ofruar shërbime e projekte të cilat janë në interesin tuaj dhe të cilat zgjidhin problemet me të cilat përballeni çdo ditë. Andaj, nëpërmjet votës suaj ju siguroheni që përfaqësuesit tuaj të zgjedhur do të merren drejtpërsëdrejti me çështje që prekin jetën tuaj dhe krijojnë perspektivë për të gjithë ju. Pjesëmarrja juaj në zgjedhje do të thotë jetë më të mirë për të gjithë ju. Prandaj shfrytëzojeni këtë të drejtë në këtë moment të rëndësishëm për demokracinë. Vota juaj është mjeti më i fuqishëm për të vendosur për të ardhmen e komunës suaj dhe për t’i mbajtur përgjegjës zyrtarët e zgjedhur”, është shprehur Osmani.