Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren në Leposaviq dhe në Mitrovicë të Veriut, në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën në veri të Kosovës.
Deputeti i kësaj partie, Armend Muja, ka thënë se kandidati i VV-së në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, ka marrë mbi 65 për qind të votave.
Sipas tij, në Leposaviq kandidati i VV-së, Lulzim Hetemi ka marrë mbi 70 për qind të votave.
Sipas raportimeve, dy komunat tjera Zveçani dhe Zubin-Potoku janë fituar nga kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ndërkaq, në Zubin-Potok, PDK-ja ka marrë 196 vota, ndërsa VV-ja 180 e në Zveçan 114 PDK-ja dhe 73 VV-ja.
Vetëm 3.47 për qind e 45 mijë e 95 qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat e veriut të Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë të dielën në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan e Mitrovicë të Veriut. Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut votuan 837 qytetarë apo 4.62 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Në Leposaviq votuan 141 votues apo 1.06 për qind, në Zubin-Potok 385 votues apo 5.78 për qind dhe në Zveçan 204 qytetarë apo 2.92 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.