Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se meritat për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës nuk i takojnë vetëm Qeverisë, por paraprakisht merita kanë shërbyesit civilë.
Ajo tha se këta kanë punuar “ditë e natë” në këtë proces, derisa Qeveria “e ka gjetur këtë aplikacion [për aplikim në KiE] të gatshëm”.
“Meritat i kanë para se të gjithash qindra shërbyes publikë që kanë punuar ditë e natë për formimin e institucioneve të pavarura të Kosovës, është punuar shumë gjatë që të përgatitet aplikacioni dhe qeveria e ka gjetur këtë aplikacion të gatshëm. Por, edhe është krijuar edhe një kontekst i ri gjeopolitik”, tha Çitaku në Klan Kosova.
Mes tjerash, ajo tha se edhe kriteret për liberalizimin e vizave, shteti i kishte përmbushur shumë më herët, mirëpo konteksti gjeopolitik shkaktoi këtë shtyrje të afatit.
“Kriteret për liberalizimin e vizave Kosova i ka përmbushur shumë më herët, por konteksti politik është ai që ka diktuar momentumin e dhënies së dritës së gjelbër. Përvoja e deritanishme na tregon më së miri që vendimet e kësaj natyre nga ana e institucioneve evropiane nuk ndërlidhen ekskluzivisht me përmbushjen e kritereve por edhe nga konteksti politik” u shpreh Çitaku.