Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia mori pjesë sot në tryezën e Organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë, mbi prezantimin e rekomandimeve nga projekti “Përmirësimi i trajtimit të personave të privuar nga liria”, në vlerë prej 850 mijë eurove, i misionit vlerësuese të Këshillit të Evropës mbi statusin ligjor dhe kornizën rregullative të Institutit të Forenzikës Psikiatrike të Kosovës (IFPK), Institutit Special Shtime (ISSH), Departamentit Shëndetësor të Burgjeve (DSHB) të Ministrisë së Shëndetësisë si dhe rishikimin e PSV-ve të DSHB.
Ministri Vitia në fjalën e tij falënderoi Këshillin e Evropës për kontributin e dhënë dhe theksoi se me anë të këtij projekti, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Ministrinë e Drejtësisë, përkatësisht Shërbimin Korrektues të Kosovës, “do të angazhohemi për rezultate më të mira për avancimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe trajtimit adekuat, profesional dhe pa dallime të të gjithë personave në nevojë”.
Ministri uroi që ky projekt të zhvillohet sipas planit dhe të arrihen të gjitha qëllimet dhe që në të ardhmen, personat e privuar nga liria, e veçmas ata me probleme shëndetësore, të marrtin shërbime cilësore, në harmoni me konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Rekomandimeve të Këshillit të Evropës dhe Rregullave Evropiane të Burgjeve, konform sugjerimeve të OBSh-së dhe politikave tona”, tha ministri Vitia.
“Ministria e Shëndetësisë është e angazhuar në plotësim ndryshimin e Ligjit për shëndetin mendor dhe ligjeve e akteve të tjera nënligjore që rregullojnë këtë fushë”, theksoi Ministri Vitia.
Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu tha se “po vazhdojmë me krijimin e kushteve që personat e privuar nga liria të trajtohen me respekt dhe dinjitet si dhe të kenë qasje të plotë në të drejtat e tyre të garantuara me ligj, por dhe me Konventat e tjera ndërkombëtare”.
“Sa i përket përmirësimit të kushteve ligjore, gjatë vitit 2022, janë miratuar tre ligje bazë për menaxhimin e institucioneve korrektuese: Ligji për ekzekutimin e sanksioneve penale; Ligji për shërbimin korrektues dhe Ligji për shërbimin sprovues, pra duke bërë të mundur që me këto ligje të dënuarve t’u njihen disa të drejta shtesë, përkatësisht t’u kthehen disa të drejta që ju kishin hequr me ndryshimet ligjore të vitit 2017, që lidheshin me pakon e ushqimit, ditët e vikendit, etj.”, tha ministrja Haxhiu.
Projekti “Përmirësimi i trajtimit për persona të privuar nga liria”, synon të forcojë më tej mbrojtjen e të drejtave të personave të dënuar, me fokus në ofrimin e kujdesit shëndetësor në burg, si dhe të drejtat e pacientëve të ndaluar gjatë shtrimit psikiatrik të pavullnetshëm dhe personave me aftësi të kufizuara mendore të vendosur në institucione të posaçme të mirëqenies sociale.
Në këtë tryezë kanë marrë pjesë z. Fram Power shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe përfaqësues të tjerë nga kjo zyrë, IFPK, ISSH, DSHB, shërbimi korrektues, Inspektorati i Burgjeve, nga Institucioni i Avokatit të Popullit, shoqëria civile, etj.