Pas debatit dhe përplasjeve mes pushtetit dhe opozitës në Kuvend, që nisën pas arrestimit të kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka reaguar ish prokurori Elez Blakaj.
Ai këto debate i ka quajtur të neveritshme, ndërsa pa përmendur emra, Blakaj i ka quajtur “hipokritë klasikë”, ata të cilët sot sipas tij, “shesin moral”.
“E neveritshme të dëgjosh nivelin e debatit në Kuvendin e Republikes së Kosovës, studio televizive dhe media të ndryshme duke folur për drejtësi, me theks të veçantë ata të cilët dje shanin e organizonin konferenca për shtyp e vraponin pas debateve në televizone të ndryshme, e sot na shesin moral – hipokrita klasik!”, ka shkruar Blakaj, i cili tani jeton në SHBA.
Postimi i plotë i Blakajt:
E neveritshme të dëgjosh nivelin e debatit në Kuvendin e Republikes së Kosovës, studio televizive dhe media të ndryshme duke folur për drejtësi, me theks të veçantë ata të cilët dje shanin e organizonin konferenca për shtyp e vraponin pas debateve në televizone të ndryshme, e sot na shesin moral – hipokrita klasik!
Secili qytetar, në veçanti institucionet duhet ta lajmërojnë çdo dyshim për secilën veper penale dhe të bashkëpunojnë ngushtë me organet kompetente në të gjitha fazat e procedurës në interes të zbardhjes së rastit, pavarësisht kush është emri i përveçëm e/i të dyshuarit e poashtu sjelljes, motivit dhe performancës së zbehtë të organeve të drejtësisë!
Është e dukshme dhe e kuptueshme se përfituesit më të mëdhenj nga e gjithë kjo rrëmujë janë të gjithë ata të cilët nuk janë të interesuar të ketë reforma në drejtësi. Madje të gjithë këta përfitues, lutën vazhdimisht që të ketë sa më shumë debate, tensione, komente dhe përplasje të tilla sepse kështu mbijetojnë! Andaj, sa më pak që flitet dhe komentohet për “drejtësinë”, aq më shumë reforma do të kemi!
Ndërsa për të gjithë gazetarët, në veçanti për gazetarët hulumtues, kërkoni informacione për fatin e mijëra lëndëve të regjistruara si PPN (penale të ndryshme).… e frikshme si trajtohën dhe çfarë fshihet aty!