Ministria e Punëve të Brendshme në dhjetor të vitit 2022 ka lidhur kontratë me procedurë emergjente, për furnizimin me material për pasaporta, letërnjoftime dhe patentë-shoferë, me kompaninë gjermane “Veridos Gmbh”, ndaj së cilës Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë në gusht të vitit 2022 në drejtim të veprës penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.
MPB këtë kontratë në vlerë prej 4 milionë eurove kompanisë në fjalë ia ka dhënë më 9 dhjetor 2022, pra katër muaj pas ngritjes së aktakuzës.
Aktakuzën ndaj subjektit afarist në fjalë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj. Ajo ka treguar se pas kallëzimit penal të Doganës së Kosovës në shkurt të vitit 2021, Prokuroria e Shtetit më 22 gusht 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj “Veridos Gmbh”.
“Bazuar në të dhënat e gjeneruara nga shkrimorja e kësaj prokurorie figuron se ndaj subjektit në fjalë Prokuroria Themelore në Prishtinë më 23.02.2021 ka pranuar kallëzim penal nga Dogana e Kosovës. Pas trajtimit nga ana e Prokurorit të Shtetit, më 22.08.2022, i njëjti ka ngritur aktakuzë në drejtim të veprës penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”, nga neni 312 të KPRK-së dhe e ka deleguar në Gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Ulaj.
Express ka arritur që ta sigurojë aktakuzën nga Prokuroria në të cilën tregohet se si i pandehuri V.U në pikën doganore të Merdares me qëllim që t’i sjell përfitim të kundërligjshëm pasuror vetes apo tjetrit, ne cilësinë e personit të autorizuar për proceduat e zhdoganimit i ka paraqitur Doganës së Kosovës dokumente të rrejshme lidhur me sasinë e pasaportave.
Në faturën e prezantuar ai ka paraqitur vetëm 175 mijë pasaporta, derisa pas kontrollit nga ana e zyrtarëve doganorë ka rezultuar që aty janë edhe 25 mijë pasaporta të tjera të padeklaruara.
Përmes këtij veprimi V.U ka shkaktuar dëm në buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 29 mijë e 389 euro e 50 centë.
Ndërkohë i pandehuri i dytë R.W (shtetas gjerman) në vazhdimësi që nga viti 2016, 2017, 2018 dhe 2020 në pikën doganore të Merdares në cilësinë e personit përgjegjës dhe të autorizuar të subjektit afarist, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka bërë shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.
R.W siç thuhet në aktakuzë, përmes personit të autorizuar për zhdoganimin e mallit, ka prezantuar dokumente të rrejshme lidhur me zhdoganimin e mallit. Aktakuza specifikon se shmangia e pagesës së taksave doganore kap shumën e 24 mijë e 651 eurove dhe tatimin mbi vlerën e shtuar 148 mijë e 607 euro.
R.W në këtë formë i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë totale prej 173 mijë e 258 euro e 58 centë.
Barra për dëmin e shkaktuar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e 173 mijë e 258 euro e 58 centë i është ngarkuar edhe subjektit afarist “Veridos GMBH” ku i dyshuari R.W është person i autorizuar.
Prokuroria ka kosntatuar se pas shqyrtimit dhe analizimit të provave në kallëzimin penal, Prokurori i shtetit më 18 shkurt 2022 ka hapur hetimet penale ndaj të dyshuarit V.U për veprën penale “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore” sipas nenit 312 paragrafi. 3 të KPRK-së, dhe ndaj të dyshuarit R.Ë., ndërsa me aktvendim për zgjerim të hetimeve janë filluar hetimet penale edhe ndaj subjektit afarist “V…”, për veprën penale “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore” nga nenin 312 paragrafi 4 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 i KPRK-së.
Këtë vendim Prokuroria e ka marrë bazuar edhe në deklaratat e të dyshuarve dhe provat e tjera materiale, siç është edhe vendimi i Gjykatës për konfiskimin e pasaportave në vlerë prej 25 mijë copave.
Kjo Prokurori pas zhvillimit te hetimeve dhe mbledhjes se provave dhe analizimit te tyre ka vërtetuarse në rastin konkret të pandehurit e lartcekur me veprimet e tyre kanë përmbushur të gjitha elementet e veprave penale.