Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Sahide Gashi, ka bërë me dije se është ngritur aktakuzë ndaj Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajt për tragjedinë e Gllogjanit, ku kishin mbetur të vrarë tre persona, raporton Gazeta Sinjali.
Në një konferencë për media, Gashi tha se ata akuzohen si bashkëkryes së veprës penale ‘Vrasje e rëndë’.
“Ju njoftoj se pas hetimeve, Prokuroria sot me datë 5 maj ka ngritur aktakuzë kundër Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj për veprën penale si bashkëkryer së vrasjes së rëndë”, ka deklaruar Gashi.
Ndërsa ndaj Halil Mehmetajt, Gashi ka thënë se është ngritur aktakuzë për veprën penale “shtytje në vrasje të rëndë”, derisa për Malsor Mehmetajt kanë pushuar hetimet, meqë Prokuroria “nuk ka arritur që të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në përgatitjen, ndihmë apo zbatimin e aktit të krimit”.
Kujtojmë se mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021, tre persona kishin mbetur të vdekur dhe një ishte plagosur, si pasojë e një sulmi me armë zjarri ndaj autobusit me udhëtarë në fshatin Gllogjan të Deçanit. Dy nga viktimat ishin nxënës, ndërsa personi i tretë që mbeti i vrarë ishte shoferi i autobusit.
Halil Mehmetaj dhe dy djemtë e tij, Kreshnik dhe Malsor Mehmetaj u patën arrestuar nga Policia, si të dyshuar për vrasjen e trefishtë, teksa motivi i kësaj vrasjeje dyshohet se është hakmarrje për vetëvrasjen e vajzës dhe motrës së tyre, 20-vjeçares Heroina Mehmetaj, e cila i dha fund jetës së saj në vitin 2021.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.