Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka thënë se dialogu Kosovë- Serbi nuk i ka arritur objektivat e veta.
Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi përbën një proces jashtëzakonisht kritik.
Haziri tha se Serbia po realizon një ofensivë diplomatike kundër Kosovës, ku qëllimi i vetëm sipas tij është shpërbërja e Republikës së Kosovës.
“Platforma serbe të vetmin qëllim e ka shpërbërjen e Republikës së Kosovës, sepse për ta është e padurueshme Republika e dytë shqipfolëse në Ballkan”, ka thënë ai.
Nënkryetari i LDK-së, Haziri po ashtu foli edhe për procesin e qeverisjes në vend ku tha se krerët shtetërorë janë paraqit si burra të mëdhenj të vendime të rënda.
“Kjo qeveri ka problem me shumicë parlamentare, pasi ka mbet pakicë parlamentare. Është për gjynah me thënë të drejtën, janë paraqit si burra të mëdhenj të vendimeve të rënda dhe tash si duket janë shtrirë për toke dhe nuk po munden vendimet e vogla t’i realizojnë”, u shpreh Haziri, duke shtuar se Kuvendi i Kosovës është duke shkuar drejt një ngërçi politik.
“Edhe ashtu Kuvendi është çorodit politikisht”, tha ai.