Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka përfunduar misionin dhe funksionin e vet.
Kurti ka thënë se ekipit menaxhues i ka përfunduar puna, andaj edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe më e logjikshme.
“Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionin e vet, andaj ne nuk kemi më arsye që ta dëgjojmë ekipin menaxhues që çka pati për të thoshte e tha në Bruksel më 2 maj. Unë besoj që të gjithë e kanë të qartë se ekipit menaxhues i ka përfunduar puna andaj edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe më e logjikshme”, tha ai.
Për një takim tjetër mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti ka thënë se pritet të ketë gjatë këtij muaji.
“Hapat e radhës besoj se do të jetë një takim i yni me ndërmjetësit. Besoj se kjo do të ndodhë gjatë këtij muaji. Pas këtij takimi do të mund të shohim cilët do të jenë hapat tjerë përpara dhe këta hapa do të jenë vetëm për zbatimin dhe sekuencimin e zbatimit”, tha kryeministri.
“Ndërmjetësit nuk dhanë vlerësim për atë, mirëpo pala serbe nuk pranoi as ta marrë për lexim. Ne e kemi dëgjuar ekipin menaxhues, ne e kemi lexuar propozimin e tyre, ne kemi dhënë mendimin tonë mospajtues, ndërsa për propozimin tonë nuk kemi përgjigje nga ndërmjetësi. Ky draftvizion që e kam prezantuar unë aty është i inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht për pakicën serbe… Marrëveshjen për modelin për mbrojtjen e pakicës serbe në Kroaci e ka pranuar edhe Serbia, prandaj ne kemi konsideruar që ky është vendi që ne do të mund të marrim frymëzimin tonë. Nëse Serbia e ka pranuar këtë gjë me Kroacinë, konsiderojmë që do të duhet ta pranojë edhe me ne. Nuk jam i interesuar as t’i kontrolloj serbët, as t’ua shkelë të drejtat as atyre, asnjë minoriteti, as një qytetari të republikës”, ka thënë mes tjerash Kurti para gazetarëve.
Tutje, Kurti ka thënë se në veçanti për nenin 7 të marrëveshjes bazë ka ofruar një draf-vizion, që shpreson që do ta marrë një vlerësim nga ndërmjetësuesit evropianë.
Gjithashtu, Kurti, ka thënë se në takimin e fundit që pati në Bruksel ka marrë garanci për marrëveshjen e arritur në Ohër.
Kryeministri tha se aty u konfirmua se teksti i marrëveshjes mbetet i pandryshueshëm dhe i panegociueshëm.
“Në takim u konfirmua se marrëveshja është valide, se 27 shkurti i Brukselit dhe 18 marsi i Ohrit ka ndodhur, se teksti i marrëveshjes është aty i pandryshueshëm e panegociueshëm dhe që duhet të zbatohet pa vonesa dhe në përpikëri. Andaj ky zotim, ky garancion i ndërmjetësve evropianë natyrisht që është i domosdoshëm për ta mbajtur solid procesin e dialogut”, shtoi ai.