Komuna e Kamenicës sot ka mbajtur ceremoninë e lansimit të Forumit për Transparencë Komunale.
Ky Forum është krijuar me vendim të Kuvendit të Kamenicës me mbështetje të organizatës së NDI (National Democratic Institute), dhe ka në përbërje 12 anëtarë të cilët janë, asambleistë, drejtorë komunal, zyrtarë të informimit dhe shoqërisë civile.
Duke pasur parasysh se transparenca ndaj qytetarëve është rruga e duhur e një qeverisje sa më demokratike dhe të hapur, edhe ky Forum ka për qëllim ngritjen e transparencës komunale në të gjithë sektorët dhe qasjen sa më të lehtë të qytetarëve në qeverisje.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Liridon Kastrati, Deputetja nga Kuvendi Qendror, Arbresh Kryeziu-Hyseni njëherit kryesuese e Forumit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përfaqësuesi nga NDI Ngadhënjim Halilaj, Drejtorë të Drejtorive të Komunës së Kamenicës, Zyrtarë Komunal.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Liridon Kastrati, ka thënë se transparanca komunale është një ndër faktorët kryesor që ndikon në përmirësimin dhe ofrimin e shërbimeve publike komunale si dhe një mundësi e mirë për ngritjen e besimit të qytetarëve në institucionet komunale.
“Ndihem i gëzuar me sukseset e komunës sonë ku ka pasur ngritje të lartë nga vendi i 22-të në vitin e kaluar dhe tash në vendin e tretë, ku për këtë i falenderoj zyrtarët komunal për përkushtimin e tyre ndaj avancimit të sistemit të vet-qeverisjes locale dhe performancës komunale”, ka theksuar ai.
Deputetja nga Kuvendi Qendror, Arbresh Kryeziu-Hyseni theksoi rëndësinë e këtij Forumi që ka pasur në Kuvendin Qendror, duke ofruar përkrahje edhe për Komunën e Kamenicës.
“Forumi për Transparencë në Kuvendin e Kosovës ka bërë një punë të shkëlqyeshme dhe për këtë arsye Kuvendi i Kosovës ka zënë vendin e dytë në rajon për transparencë ndërsa në vend të parin si institucion. Forumi për Transparencë është mekanizëm shumë i mirë që ngrit performancën tuaj dhe mund të përfitoni grante për transparencë”, ka thënë ajo.
Pavarësisht se në këtë ceremoni ka munguar prezenca e Kryetarit të Komunës, Kadri Rahimaj, duke parë të rëndësishme Transparencën Komunale, ai ka dërguar një video për formimin e këtij Forumi.
Ai ka thënë se transparenca është themeli i një demokracie të zhvilluar dhe se ajo nxit besimin, promovon llogaridhënien dhe mundëson që qytetarët të marrin pjesë aktivisht në proceset e vendimmarrjes.
“Po e krijojmë Forumin e Transparencës, i themeluar me mbështetjen e dhe direktivat e NDI-së, ku kemi mbledhur përfaqësuesit e të gjitha partive politike. Të bashkuar në synimin tonë të përbashkët, që Komuna e Kamenicës të ketë të ardhme më të hapur dhe transparente. Jam krenar që të njoftoj se, në vetëm një vit, përpjekjet tona kanë shtyrë Komunën e Kamenicës nga vendi i 22-të në vendin e 3-të ndër komunat e Kosovës në aspektin e transparencës. Ky përmirësim i jashtëzakonshëm prej 19 vendesh është një dëshmi për angazhimin tonë të pandërprerë dhe përpjekjen kolektive. Ndërsa nisim Forumit të Transparencës, le të vazhdojmë të punojmë së bashku, duke tejkaluar dallimet politike, për të siguruar që Kamenica të mbetet një shembull i transparencës për të gjithë”, ka thënë ai.