Pas një performance që i dhuroi skenës magjike të “Eurovision” ngjyrat kuq e zi, Albina dhe familja Kelmendi qenë të parët e gjysëmfinales së natës së dytë që u kualifikuan për në finale.
Finalja do zhvillohet mbrëmjen e së shtunës në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar. Përfaqësusesit e Shqipërisë do performojnë të dhjetit në renditje.
“Nuk mundem ta përshkruaj emocionin që e kemi përjetuar mbrëmë. Ne kemi punuar shumë për t’i gëzuar këto rezultate, kështu që jemi të lumtur edhe për gjithë mbështetjen e shqiptarëve që na kanë dhënë. Votat e njerëzve që na deshën, na dërguan në finale e na bënë të përjetojmë këtë ndjenjë të madhe”.
Kështu ka thënë në një lidhje telefonike për “DUK’AT” në Radio Dukagjini, këngëtarja e cila së bashku me familjen po e përfaqëson Shqipërinë në garën e këngës “Eurovision”, në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar.