Drita – Skenderaj 3:0 (25:22, 25:22, 25:21)
Klubi i Volejbollit Drita – femrat është kampione e Kosovës në Volejboll për stinorin 2022/2023, ngase në ndeshjen e pestë finale e ka mundur Skenderajn me rezultat 3:0 në sete dhe me rezultat të përgjitshëm 3:2 me lojë. Ky është edhe një sukses i kryetrajnerit Lorik Ilazi, nën drejtimin e të cilit KV Drita shtatë herë është shpallur kampione e Kosovës, sikurse që është fituese e shumë kupave dhe e superkupave, shkruan kryelajmi.com.
Në setin e parë Drita që në fillim krijoi një epërsi prej tri pikësh, por më pas Skenderaj u këndell, barazoi dhe doli në epërsi me tri pikë, por më pas kah fundi i setit ia doli që të barazojë dhe të shkëputet dhe në fund e fitoi setin me rezultat 25:22. Lojtare që u dallua në këtë set ishte Megi Bislimi, e cila u përkrah edhe nga Venera Kadriu, kurse edhe amerikania Strambler ia doli që të fitojë pikë të rëndësishme.
Setin e dytë më mirë e ka nisur Skenderaj, që ka shkuar në epërsi me rezultat 2:6. Drita ia doli të barazojë tek rezultati 16:16, mirëpo Skenderaj ia doli të kalojë në epërsi 16:18, më pas Drita barazoi dhe pati një seri prej gjashtë pikësh në shërbim të Erbugës dhe rezultati ishte 24: 20, kurse në fund Drita e fitoi edhe setin e dytë me rezultat 25:22 për te rezultati në sete 2:0. Në këtë set ka nisur të fitojë pikë edhe Loresa Abdyli, kurse në bllok dallohej edhe Vesa Shabani, derisa vijën e dytë për mrekulli e mbante Adelajda Prenga.
Seti i tretë ka shkuar i barabartë, por Drita u shkëput në dy pikë, 11:9 dhe e forcoi edhe më tepër lojën e saj duke shkuar 14:10 dhe nga ky moment loja e Skenderajt ra dhe Drita u shkëput në rezultat 18:12 e më pas edhe 23:16 dhe e fituan setin me rezultat 25:21.
Kupën kapitenes së Dritës Adelajda Prenga ia dorëzoi Kryetari i Federatës së Kosovës në Volejboll, Bahri Gjinovci./kryelajmi.com/.