Gjilani i shkëputur nga pjesa tjetër e Kosovës
Magjistralet e Gjilanit në tri anë dërgojnë në qytete të tjera të Kosovës e në një anë dërgojë në Kosovën Lindore, gjegjësisht në Preshevë, shkruan kryelajmi.com.
Ka muaj që askush nga Gjilani nuk merr rrugë nëpërmjet magjistrales për të shkuar në Ferizaj, që mban emrin e djalit të presidentit amerikan. Që në Livoç të Poshtëm, që është paralagje e Gjilanit nisin vështirësitë, ngase aty ka kohë që rruga është gërryer dhe kur bie shi më shumë i ngjan një moçali se sa një rruge e kur ai thahet pluhuri shkon deri në kupë të qiellit. Qytetarët për t’iu shmangur kësaj rruge kanë zgjedhur një alternativë, duke u munduar që t’i shmangin gropat dhe dëmtimin e veturave. Ata në afërsi të fshatit Mihir, kthehen në të majtë për të marrë rrugë kah Poneshi e më pas kah Kishna Pola e Sllakovci për të dalë diku në magjistralin që është pjesë e komunës së Ferizajt.
Gjendja e magjistrales Gjilan – Ferizaj
Rruga me plot gropa për Prishtinë, para pak ditësh u arnua disi, por ende pa u qepur mirë, mu te Liqeni i Badocit, në afërsi të urës së vetme, sikur nuk mjaftuan shenjat e ndalimit të kalimit, por aty u hodhën edhe kamionë me zhavorr për të pamundësuar kalimin e automjeteve, të cilët për të arritur në Prishtinë duhet të futen nëpër rrugën e pluhurosur në mënyrë që para se të mbërrijnë në kryeqytet me pluhurin e trashë mbi automjete të tregojnë se prej kah vijnë.
Magjistralja Gjilan – Prishtinë
Çka të thuhet për ata që ia mësyjnë Dardanës apo Bujanocit. Ky magjistral ka më shumë se katër vite që mbetet i pashtruar dhe as reagimet e bizneseve në të dalë të Gjilanit, as reagimet e transportuesëve të udhëtarëve nuk po bëjnë punë, ngase siç tha njëri nga protestuesit e para disa ditëve për katër vite “punë” në këtë magjistrale nuk u hodhën as katër lopata çimento.
Magjistralja Gjilan – Bujanoc
Po a e meriton Gjilani një trajtim të tillë, qytet të cilit i ishte premtuar autoudha për Prishtinë dhe lidhja me pjesët e tjera të Kosovës. Kushdo që kishte besuar se kjo autoudhë do të mund të hapej në shtator ashtu siç ishte premtuar, shpresat iu shuan këtë fundjavë, kur u mor vesh se do të ketë një ritenderim për ndërtimin e kësaj autoudhe./kryelajmi.com/.