Edi Rama u shfaq bashkë me strategun e fushatës së tij elektorale Endri Fuga, 24 orë pasi Partia Socialiste korri një tjetër rekord elektoral në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Ai tha se fitoren e shikon si një shpërblim dhe barrë të madhe për PS.
“Kjo është një fitore shumë e madhe për t’u festuar dhe unë vet ndihem shumë i vogël përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve tanë nga Tropoja në Konispol.
Kam dhe besoj kemi të gjithë nevojë të ruhemi nga era e fortë dehëse e një fitoreje si kjo. Por tanimë që shqiptarët i zgjodhën ata që dëshironin, ne do të vazhdojmë pa humbur kohë punët që u ngadalësuan nga fushata, jo vetëm në nivelin vendor, por edhe në nivelin e qeverisjes qendrore”- tha Rama.
Për kaosin e fillimit të votimit nga problemet e pajisjeve elektronike Edi Rama fajësoi KQZ me tone të ashpra. Ndërsa për humbësit e zgjedhjeve Edi Rama tha:
“Zgjedhjet nuk kanë pasur asgjë të veçantë në asnjë aspekt përveç dështimit spektakolar të KQZ-së për të garantuar fillimin në kohë të votimit në mbi 500 qendra për mijëra e mijëra qytetarë, që me korrektesë dhe dëshirë, që në orët e para të mëngjesit ishin futur në radhë për të ushtruar të drejtën dhe detyrën e tyre kushtetuese. Vërtetë është i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm, por nuk dua të ndalem me tutje në këtë. Me siguri që ne nuk do ta lëmë me kaq këtë çështje, aq më tepër kur pamë skenat e tmerrshme të atyre pajisjeve që hidheshin si arka bosh, sepse asnjë arkë me çfarëdo gjëje të mbajë brenda, nuk mund të hidhet ashtu në kamion për të shkuar në destinacion.”-tha Rama.
Rama i dha një përgjigje të prerë retorikës me plot presion të Greqisë për rastin e Fredi Belerit.
“Përsa i përket akuzave të opozitës, ju nuk keni nevojë të më pyesni sot; ju keni sinkronet, unë e kam parashikuar disa herë në takimet e mia publike. E vetmja gjë, që unë nuk parashikova ishte shpejtësia me të cilën u kthye në atë që është pozicioni i përhershëm, historik, i përjetshëm i tyre, mohimi i realitetit dhe fillimi i klithmave për vjedhje të zgjedhjeve ndërkohë që, deri sa dolën rezultatet e para, sidomos rezultati i Kamzës, ata ishin, si gjithmonë edhe në të shkuarën, të sigurt që kishin një fitore tronditëse.”-tha Rama.
Por si e shikon Edi Rama besimin historik dhënë nga shkodranët Partisë Socialiste?
“Shkodra më ka bërë mua sfidë kësaj here. Shkodra, kryefjalë e mandatit që nis pas disa muajsh. Shkodranët nuk janë dalluar asnjëherë për t’i bërë gjërat gjirokastritshe, i kanë bërë gjërat gjithmonë me gjithsej, kështu që në gjithsej na kanë hedhur një top që ne duhet të jemi të zotë ta kapim dhe ta çojmë aty ku duhet”- tha Rama më tej.
Rama paralajmëroi një tur falënderimesh në të gjithë Shqipërinë të cilin do ta nisë nga Shkodra.