Më 23 prill, u mbajtë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat në veri të vendit. Të katër komunat janë vendosur nën pushtetin e udhëheqësve shqiptarë. Në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, kryetarët e rinj u betuan të enjten, kurse në Mitrovicë të Veriut, ceremonia e betimit u mbajt javën e kaluar. Lista Serbe në një konferencë për media të premten, ka thënë se me dhënien e betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, “filloi zyrtarisht pushtimi i veriut e do të përfundojë kur të vendosin serbët”, shkruan Gazeta Sinjali.
Nënkryetari i partisë e cila dirigjohet nga Qeveria Serbe, Igor Simiq i ka dhënë afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deri më 1 qershor për të “ndaluar represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.
Ai shtoi se nëse kjo vazhdon, “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor, ata do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”, tha Simiq duke mos qenë specifik se cilat janë këto mjete.
E ky ultimatum i Listës Serbe, po i duket i pa peshë nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Haziri, në një deklaratë dhënë për Gazetën Sinjali shprehet se kryetarët e katër komunave të veriut të Kosovës, do ta vazhdojnë punën e tyre edhe pas datës 1 qershor.
“Më 1 qershor kryetarët vazhdojnë punët ditore. Lind dielli prapë.Deri në një marrveshje ata do mbulojnë vakumin institucional pa legjitimitet por legal”, u shpreh ai.
Sipas numrit dy të LDK-së, Lista Serbe ka vetëm një afat.
“Listës Serbe i mbetet nje afat i ri deri në fund të verës apo vjeshtës me vazhdu punën e tyre në kafene”, tha Haziri për Sinjalin.
Ndryshe, më 23 prill u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna të veriut të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.
Mitrovicën e Veriut e fitoi Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin e tyre, Erden Atiq.
Në Komunën e Leposaviqit, kryetar i ri është zgjedhur Lulzim Hetemi nga Vetëvendosje, në atë të Zveçanit, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Zubin Potokun do ta udhëheqë Izmir Zeqiri, po ashtu nga PDK-ja.