Sekretar amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka kërkuar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, që të ndalë menjëherë masat, të cilat ai i quajti të dhunshme, dhe të ripërqendrohet në dialog.
Blinken dënoi fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës për të cilat tha se po përshkallëzojnë tensionet në veri.
“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”, tha Blinken.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës për herë të parë kanë reaguar ashpër dhe kategorikisht kundër veprimeve të Qeverisë së Kosovës në komunat veriore të Kosovës ku me ndërhyrje policore janë asistuar kryetarët e zgjedhur të atyre komunave të futen në institucione me ç’rast veprimet janë përcjellur me tensione e përplasje ku ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, si kurrë më parë, këtë herë ka thënë se SHBA-të dënojnë veprimet e autoriteteve kosovare në veri të vendit dhe i ka quajtur veprimet policore “masa të dhunshme” për të cilat ka thënë se duhet të ndërpriten menjëherë.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet në vazhdim të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, thuhet në reagim.