Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidenteve në veri të Kosovës, ndërsa u bëri thirrje krerëve të shtetit që të dëgjojnë aleatët që situata të mos rëndohet edhe më shumë.
Sipas Ramës, Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht me këtë situatë të rënduar.
“Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare!”, thotë Rama.
Nga ky udhëkryq, sipas Ramës, mund të dilet vetëm me dialog mes dy vendeve dhe me aleatë të fuqishëm.
“Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm.
“Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova! Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm! Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare!”, tha ai.
Kujtojmë se BE-ja dhe NATO i bënë thirrje Prishtinës të frenohet. Ndërsa ambasadorët e vendeve më të industrializuara të QUINT-it, në Kosovë, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar iu drejtuan me një apel të hapur autoriteteve të Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për hyrjen me forcë në objektet e komunave me shumicë serbe.