Kryeministri Albin Kurti ka fajësuar për dhunën në veri të vendit “turmat fashiste” të kontrolluara nga qeveria e Serbisë fqinje dhe tha se ai kishte refuzuar një kërkesë të SHBA-së për të zhvendosur kryetarët e komunave në veri nga zyrat e tyre zyrtare.
Më shumë se 30 ushtarë paqeruajtës të NATO-s u plagosën në përleshjet të hënën, duke bërë që aleanca të njoftojë se do të dërgojë 700 trupa të tjera në vend. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e vendosi ushtrinë e vendit të tij në gatishmëri të lartë luftarake.
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, tha se paqeruajtësit italianë dhe hungarezë iu nënshtruan “sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të pësuar nga trauma, me thyerje dhe djegie për shkak të shpërthimit të mjeteve ndezëse”.
“Dje ishte shumë e rëndë, ishim shumë me fat që nuk humbi asnjë jetë”, tha kryeministri i Albin Kurti përmes telefonit nga Prishtina të martën për Guardian. Ai tha se “disa” paqeruajtës të NATO-s ishin ende në spital.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i ka quajtur sulmet “të papranueshme dhe të papërgjegjshme”.
Dhuna erdhi pasi kryetarët shqiptarë morën detyrën në zonat me shumicë serbe të Kosovës veriore, pas zgjedhjeve në prill të cilat serbët i bojkotuan. Kurti fajësoi Beogradin për orkestrimin e bojkotit, i cili çoi në një pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët.
Shumica e serbëve të zonës nuk e kanë pranuar kurrë shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 nga Serbia dhe e konsiderojnë Beogradin kryeqytetin e tyre më shumë se dy dekada pas kryengritjes së shqiptarëve të Kosovës kundër sundimit represiv serb.
Shqiptarët etnikë përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë në Kosovë, por serbët e veriut kanë kërkuar prej kohësh zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE të vitit 2013 për krijimin e një asociacioni të komunave autonome në zonën e tyre.
Dhuna është dënuar gjerësisht, por edhe aleatët perëndimorë të Kosovës kanë kritikuar ashpër qeverinë në Prishtinë për vendimin për emërimin e kryetarëve të komunave.
Të premten, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken lëshoi një qortim jashtëzakonisht të fortë ndaj vendit aleat të SHBA-së, duke thënë se vendimi për të përdorur forcën për të hyrë në ndërtesat komunale në veri ishte marrë “kundër këshillës” së SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe kishte “ngritur tensionet në mënyrë të ashpër dhe panevojshme”.
Kurti shprehu pakënaqësinë e tij për këtë deklaratë, duke e cilësuar atë “zbutje” të Vuçiqit.
“Mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive”, tha Kurti, duke folur për Guardian në telefon nga Prishtina. “Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme”, shtoi ai.
Që atëherë, Kurti tha se kishte folur me Gabriel Escobar, të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin. Ai tha se Escobar kishte kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të zhvendosnin kryetarët e komunave në objekte të ndryshme, ose t’i bënin ata të punojnë nga shtëpia, një kërkesë që ai e kishte refuzuar.
“Nuk mund të kemi kryetar komunash Zoom, ne jemi republikë demokratike”, tha Kurti. “Një republikë demokratike nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste,” shtoi ai.
Kurti këmbënguli se kryetarët e rinj do të vazhdojnë të punojnë nga zyrat komunale.
“Këta janë kryetarë administrativë, teknikë që janë të domosdoshëm për funksionimin normal të komunave… Unë e pranoj se legjitimiteti politik i këtyre kryetarëve është i ulët, por legjitimiteti i të tjerëve është zero”, tha ai.
Kosova është mbështetur fuqishëm nga perëndimi, por mosnjohja nga Rusia, Kina dhe madje pesë nga 27 vendet e BE-së ka bërë që ajo të mos jetë në gjendje të zërë një vend në OKB ose në shumicën e organizatave të tjera ndërkombëtare.
Një marrëveshje e nënshkruar në fillim të këtij viti, e ndërmjetësuar nga BE-ja, parashikonte që Kosova t’u jepte të drejta komunave serbe në veri dhe Beogradi të pajtohej për pranimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, por dhuna e fundit tregon se ka ende një rrugë të gjatë për të bërë për të zbatuar marrëveshjen.
Të martën, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në një konferencë për shtyp në Oslo se aleanca do të dërgojë trupa shtesë në Kosovë.
“Ne kemi vendosur të dislokojmë 700 trupa të tjera nga forca rezervë operative për Ballkanin Perëndimor dhe të vendosim një batalion shtesë të forcave rezervë në gatishmëri të lartë, në mënyrë që ato të mund të dislokohen nëse është e nevojshme,” tha ai.