Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, pas takimit të mbajtur në Oslo me shefat e diplomacisë të shteteve të NATO-s ka folur edhe për situatën e krijuar në veri të vendit. Blinken ka thënë se ajo që po ndodh në Veri, i çon në rrugë të gabuar të dy shtetet, Kosovën dhe Serbinë.
Blinken ka bërë thirrje për kryeministrin Albin Kurti dhe për presidentin serb, Aleksander Vuçiq që të veprojnë me përgjegjësi për de-eskalim të gjendjes dhe të ecin përpara në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Edhe ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, pas takimit që pasditen e sotme ka pasur me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se e ka përsëritur kërkesën e SHBA-së për nevojë urgjente për de-eskalim të situatës.
Hovenier ka thënë se tashmë siç shihet edhe në qëndrimet publike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po kërkohet edhe nga Qeveria e Serbisë që të ndërmarrë veprime për de-eskalim të situatës.