I nderuari Kryetar i Kuvendit,
I nderuari Kryeministër dhe kabinet qeveritar,
Të nderuar deputetë, dhe
Të dashur qytetar,
Kosova po ballafaqohet vazhdimisht me një agresion institucional nëpërmjet strukturave ilegale dhe bandave kriminale që po e sfidojnë jo vetëm sigurinë por edhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Shumë nga udhëheqësit e këtyre grupeve kriminale vijnë nga Serbia dhe që po i terrorizojnë qytetarët kosovar të komunitetit serb, nëpërmjet frikësimit e dhunës ndaj tyre. Imazhet e vendosjes së barrikadave, të shtënave me armë e alarmet në veri, e kanë bërë veriun e Kosovës për dekada me radh një zonë gri të krimit e trafikimit.
Në krye të këtyre grupeve kriminale janë janë grupi kriminal i njohur me emrin “Brigada e Veriut”. Pjesëtarët e saj janë persona të armatosur që lëvizin me maska në pjesën veriore të Kosovës. Ata u shfaqën publikisht me disa aksione ku vendosnin grafite nëpër qendër të Mitrovicës së Veriut, e ku shkruhej se serbët nuk do të dorëzohen. Pikërisht ky grup dyshohet të jetë edhe në krye të organizimit për djegien e veturave të qytetarëve serb, sulmeve fizike ndaj tyre, dhe djegien e pronave private të tyre. Brigada e Veriut është grup kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shërbimi informativ i Serbisë. Pjesëtarët e saj janë kryesisht nga Serbia, gjegjësisht nga Kraleva, dhe Rashka.
Aktiviteti i Brigadës së Veriut, është vendosja e frikës tek serbët e veriut që të mos marrin asnjë veprim integrimi në institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo strukturë kriminale është e financuar mirë, dhe e drejtuar drejtpërdrejtë nga strukturat shtetërore serbe. Ata veprojnë dhe funksionojnë nga BIA serbe dhe shërbimi civil e ushtarak i Serbisë. Në krye të këtij grupi me emër “Brigada e Veriut” janë strukturat kriminale në veri, të kryesuara nga Milan Radojiçiq.
Një grup tjetër kriminal që po ashtu është aktiv në veri të vendit është Mbrojtja Civile. Ky grup kriminal është pjesë e një sistemi të integruar të policisë, e organizuar për funksionimin e suksesshëm të organeve shtetërore, organeve të krahinës autonome dhe vetëqeverisjes lokale dhe i përmbush nevojat e forcave të mbrojtjes gjatë emergjencave dhe në luftë.
Një tjetër grup kriminal që ka vepruar në veriun e vendit, dhe atë menjëherë pas përfundimit të luftës. Fjala është për grupin Rojat e Urës.
“Rojat e Urës” kanë qenë një grupacion i paligjshëm sigurie, i themeluar në përfundim të luftës në Kosovë, në përbërje të të cilit thuhej se kishte edhe pjesëtarë të pensionuar të forcave paramilitare serbe.
Një nga grupet kriminale të rrezikshme gjithashtu në Mitrovicën e Veriut, është ai me emrin “Mjekrroshat” apo në serbisht “Bradonja”. Edhe ky grup, udhëhiqej nga i sanksionuari nga Amerika, Milan Radojiçiq. Ky grup përkujdeset për tensionimin e situatës në veriun e vendit, dhe merrej me aktivitete të ndryshme kriminale. Pjesëtarët e këtij grupi janë persona që kanë ardhur nga Serbia që kanë kryer vepra kriminale atje dhe janë strehuar në pjesën Veriore, përpos që kanë kryer vepra penale tjera këtu ata kanë qenë edhe mbrojtja e Radojocicit. Në këtë grup është i përfshirë edhe Zvonko Veselinoviq.
Të nderuar qytetarë, cfarëdo sjellje tolerante ndaj këtyre grupeve kriminale kuptohet si dobësi dhe frikë e institucioneve të Republikës së Kosovës karshi këtyre grupeve. Kjo pjesë e vendit, dikur e tregtisë ilegale, trafikimit, e kriptovalutave, e dhunës, e djegieve, kërcnimit, dhe jo më pak e rëndësishme edhe mundësi e Serbisë për të ndërhyrë dhe për të defunksionalizuar shtetin e Kosovës, tani po i vie fundi!
Qeveria po bën punën e vet kushtetues. Asnjë veprim jodemokratik dhe joligjor nuk ka ndërmarrë për të rrezikuar të drejtat dhe liritë e komunitetit serb. Përkundrazi, ka shpërfaqur përkushtim e seriozitet për ndërtimin e shtetit ligjorë në këtë pjesë të vendit.
Në këto rrethana që jemi, ska tërheqje prapa ndaj një procesi që është tërësisht legal dhe legjitim. Duhet maturi e profesionalizëm nga organet e sigurisë përballë rreziqeve, e qetësi tek qytetarët përballë provokimeve nga jashtë!