Bllokimi i punës së Kuvendit Komunal nuk i shërben askujt në Gjilan, ndaj PDK do të veprojë karshi pamaturisë politike të kryetarit të komunës, dhe politikës së VV-së si subjekt
Kryetari i degës së PDK-së Riad Rashiti, thekson se puna e institucioneve komunale nuk guxon të bllokohet sikurse gjatë shtatë muajve të vitit të kaluar, përshkak të inateve apo hakmarrjes politike. PDK-ja si opozitë do të veprojë arsyeshëm dhe pa humbur kohë, sepse nëse ekziston vullneti ka shumë punë për të bërë.
Pavarësisht krijimit të rrethanave të reja politike në komunën e Gjilanit, të krijuara nga mungesa e përvojës politike, paaftësisë negociuese dhe egocentrizmit të të parit të saj, dhe kryesuesit të KK, për PDK-në është e rëndësishme që vendimmarrja në Kuvendin Komunal të funksionojë dhe të jetë në shërbim të zhvillimeve pozitive për qytetarët e Gjilanit, të cilët nuk duhet të pësojnë nga axhamillëqet e vazhdueshme të politikës së VV-së.
Partia Demokratike e Kosovës si faktor vendimmarrës në Kuvendin Komunal të Gjilanit, nuk do të bëhet pjesë e kusuritjeve politike në mes të LDK-së dhe VV-së. Qasja dhe angazhimi i asambleistëve të PDK-së do të jetë i përgjegjshëm dhe në funksion të punës që i shërben ligjshmërisë dhe besueshmërisë në punën e asamblesë komunale.
Për të rritur dinamikën e punës në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ne jemi para shumë vendimeve të rëndësishme, miratimit të KAB-it dhe buxhetit komunal për vitin 2024, miratimit të rregulloreve dhe projekteve me rëndësi, ku është e domosdoshme të kemi një pajtueshmëri të përgjithshme nga të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në asamble komunale, se si të ecim tutje ne raport me legjislativin dhe ekzekutivin e komunës, e që nuk është aspak e lehtë në këto rrethana të reja.
VV duhet të heqë dorë menjëherë nga pozita e kryesuesit, sepse tashmë nuk përfaqëson më shumicën, ndërsa LDK nuk duhet të insistojë në marrjen e pozitës së kryesuesit edhe pse e ka shumicën.
Për kryesues të Kuvendit Komunal, duhet të ketë kompromis dhe konsensus politik që do t’i shërbente një stabiliteti funksional deri në fund të këtij mandati.
Për PDK-në është e rëndësishme ndërtimi i një modeli bazuar në parime, duke dëshmuar rolin e saj konstruktiv për aq sa i takon, dhe gatishmërisë së pakicës VV-së për të zbatuar vendimet që do të merren në Kuvendin Komunal.
Së bashku duhet të krijojmë mundësitë për investime të reja përmes klimës së qëndrueshme politike dhe për zhvillim të Komunës së Gjilanit dhe rajonit të Anamoravës.