Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po shqyrtojnë mundësinë e masave kundër Kosovës në rast se nuk kontribuon në përshkallëzimin e situatës në veri të vendit, përfshi këtu edhe sanksione ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të brendshëm Xhelal Sveçla.
Sipas një teksti të qeverisë amerikane, që Euronews Albania thotë se e ka siguruar, aty përmenden disa faza të sanksioneve, duke filluar nga ngrirja e të gjitha fondeve të BE-së, pezullimin e vizave, procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, e deri tek sanksionet individuale, ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të brendshëm Xhelal Sveçla, nëse situata në terren degradon më tej.
Kjo sipas Euronews përfshin shpalljen non grata të Kurtit dhe Sveçlës, “me justifikimin se ata janë një kërcënim për sigurinë dhe paqen”.
Dokumenti thotë se “komuniteti ndëratlantik ka një nevojë jetësore për të mos lejuar një krizë pas linjave të kontaktit me Rusinë… me bindjen se problemet do të dilnin nga ana e Serbisë, pas planit franko-gjerman, si pala më kokëfortë dhe jokonstruktive në dialog”.
Teksti vijon, “askush nuk e priste që do të ishte qeveria e Kosovës, ajo që me veprimet e saj, do të nxiste pasigurinë dhe do të ushqente konflikte dhe kriza”.
Më tej teksti thotë se komunitetit ndërkombëtar i ka mbaruar durimi dhe kërkon “një përgjigje të qartë nga qeveria e Kosovës: është apo jo partnere e komunitetit ndëratlantik?”
Të qenit partner nënkupton përmbushje të pakushtëzuar të të gjitha detyrimeve dhe “dështimi për ta bërë këtë nënkupton pasoja” sipas tekstit.
Në përpjekje për të ndikuar në depërshkallëzimin e krizës në veri, në Kosovë dje qëndruan ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak dhe emisari amerikan, Gabriel Escobar.
Escobar edhe sot e përsëriti se të premten duhet të paraqesë një raport para Shtëpisë së Bardhë nëse është bërë progres, ndërsa Lajçak duhet t’i raportojë kreut të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Pas këtij hapi, emisari evropian paralajmëroi se do të merren vendime.
“Ky nuk është afat. Unë jam pyetur në Prishtinë se cilat janë hapat e ardhshëm dhe që të dy, zoti Lajçak dhe unë thamë se pas kësaj vizite, mua më është kërkuar nga Shtëpia e Bardhë që të premten të japë një përditësim se çka po ndodhë dhe mua më duhet të raportoj se a kemi progres, apo jo. Lajçak duhet të raportojë të njëjtën tek zoti Borrell. Ky nuk është afat, por është hapi i ardhshëm për mua bazuar në këtë raport ne do të marrim disa vendime dhe të shkojmë para. Por nuk është afat për askënd”, ka thënë Escobar gjatë ditës së sotme.