Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ka zhvilluar mbledhjen e parë në përbërje të re, pas zgjedhjes së anëtares së re të këtij organi vendimmarrës nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në këtë mbledhje është konstituar kryesia e KPM-së ku pesë anëtarët e Komisionit të KPM-së kanë votuar për zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarit të Komisionit të KPM-së.
Pas procesit të votimit, Kryetar i Komisionit të KPM-së u zgjodh z. Jeton Mehmeti, ndërsa Nënkryetar u zgjodh z. Fatih Basha. Mandatet e tyre janë dyvjeçare, sipas Ligjit për KPM-në.
Jeton Mehmeti ka një përvojë të gjatë si ligjërues dhe autor i studimeve të shumta mbi mediat. Për pesë vite ka qenë asistent ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës para se të kalonte si ligjërues tek Universiteti Amerikan në Kosovë (RIT) ku ligjëron qe dy vite. Ai ka botuar disa studime mbi lirinë e mediave, gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin, përfshi dhe një libër të botuar në Gjermani me titull “Përplasjet mes lirisë së shprehjes dhe ndjeshmërisë fetare”. Ai ka udhëhequr disa projekte ndërkombëtare, përfshi edhe menaxhimin e projektit “Media for All” në Kosovë të mbështetur nga Thomson Foundation (Britani e Madhe) dhe autor i raportit vjetor për Kosovën “Indeksi i Qëndrueshmërisë së Mediave” gjatë viteve 2010-2022 të botuar nga IREX (SHBA). Z. Mehmeti ka mbaruar studimet BA në Komunikim (Malajzi), studimet Master në Politikat Mediale (Hungari/SHBA), dhe është kandidat për PhD në Universitetin e Grazit (Austri). Ai është fitues i disa bursave prestigjoze sikurse Marshall Memorial Fellowship (SHBA), Akademia për Lidership (Universiteti i Stanfordit) dhe Bursa Ballkanike për Ekselencë në Gazetari.