Është arrestuar avokati gjilanas Hamdi Jashari, pasi i njëjti dyshohet se ka marrë para nga një palë me pretendimin se do të ndikojë me to te gjyqtarët.
Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari ka kërkuar dhe ka pranuar para në shumën prej 8 mijë euro.
Bëhet e ditur se pas intervistimit i dyshuari, me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokurorinë Themelore në Prishtinë, është ndaluar për 48 orë.
Komunikata e plotë:
Arrestohen një i dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘ushtrim i ndikimit’
Prishtinë, më 8 qershor 2023
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Sektori për Hetimin e Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pas zhvillimit të hetimeve preliminare, sot më 08.06.2023 ka arrestuar personin e dyshuar H.J., (avokat, mashkull kosovar, viti i lindjes 1985), pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘ushtrim i ndikimit’.
I dyshuari ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8000 (tetë mijë) euro nga një palë në procedurë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan me premtimin që këto para i t’ia jap kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës se mbrojtur nga i dyshuari.
Pas intervistimit i dyshuari, me vendim të Prokurorit të Shtetit nga PTH-Prishtinë ndalohet për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.