Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj avokatit Hamdi Jashari, i dyshuar për ushtrim të ndikimit.
Jashari, avokat me bazë në Gjilan, është arrestuar të enjten nga Departamenti i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, raporton Paparaci.
Ai dyshohet se ia ka kërkuar 8 mijë euro një klienti të tij me premtimin që ato të holla t’ua dhuronte kolegjit të gjyqtarëve në Gjykatën Themelore në Gjilan për të ushtruar ndikim në një lëndë gjyqësore.
“I pandehuri i lartcekur është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit më 08.06.2023, pas veprimeve hetimore të ndërmarra në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pasi dyshohet se i njëjti në cilësinë e avokatit mbrojtës të një pale ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8000 (tetë mijë) euro nga një palë në procedurë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, me premtimin që këto para t’ia jap kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës së mbrojtur nga i pandehuri”, ka thënë sot Prokuroria, në një njoftim për media.
Prokurori i çështjes, i cili kërkoi paraburgimin e avokatit Jashari, është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore për ta ndriçuar në plotëni këtë rast.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.