Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencë të jashtëzakonshme për media ka konfirmuar se është anuluar mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës e Shqipërisë e paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë.
Rama ka thënë se duke marrë parasysh rrethanat e tensionuara kishte propozuar një takim më të reduktuar, porse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka pranuar formatin e ri të takimit.
“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve me Kosovën me krejt bashkësinë euro-atlantik, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, tha Rama.
Ai ka deklaruar se kjo situatë po çan marrëdhëniet mes Kosovës dhe bashkësisë euro-atlantike.
“Kjo situatë po e can në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlanitke, në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit po vë gishtin te butoni për planin e aksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vet”, ka thënë tutje ai.
“Nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht, por kjo nuk është e mundur”, ka thënë ai.