Superliga e Kosovës vazhdon sot me dy përballje të rëndësishme, por vëmendja e futbolldashësve do të jetë e përqendruar në Gjilan, ku zhvillohet një nga ndeshjet më të rëndësishme të futbollit kosovar – derbi ndërmjet SC Gjilanit dhe FC Dritës.
Përballja e dy rivalëve të përbetuar të qytetit nis në orën 16:00 dhe pritet të sjellë emocione të mëdha, rivalitet sportiv dhe interesim të jashtëzakonshëm nga tifozët e të dyja skuadrave.
Drita hyn në këtë ndeshje nga pozita e tretë në tabelë me 27 pikë, ndërsa Gjilani renditet në vendin e pestë me 22 pikë. Diferenca prej pesë pikësh e bën edhe më të rëndësishme këtë përballje për të dyja skuadrat, të cilat synojnë të marrin pikët e plota dhe të përmirësojnë pozitat në renditje.
Përtej tri pikëve, derbi mbart edhe peshën e rivalitetit tradicional mes dy skuadrave gjilanase, të cilat kërkojnë fitoren dhe krenarinë e qytetit.
Ndërkohë, xhiroja e sotme nis në orën 13:00, me ndeshjen Feronikeli – FC Prishtina. Kryesuesit e kampionatit kanë 35 pikë, ndërsa Feronikeli renditet i shtati me 15 pikë.
Sytë sot janë te Gjilani, aty ku rivaliteti i qytetit merr jetë në fushën e gjelbër.










