Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka folur pas raportimeve se është anuluar mbledhja e nesërme mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Ai tregoi se i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti të takohen nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë. Pra sipas tij, në takim duhej të merrnin pjesë ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes, nga të dyja vendet.
Në takim, Rama tha se do të diskutohej për situatën e krijuar në veri të Kosovës dhe pas kërkesave të ndërkombëtarëve që situata të depërshkallëzohet.
Por, Rama u shpreh se me Kurtin nuk kanë pasur dakordësi për këtë situatë. Sipas tij, Kurti ka kërkuar që mbledhja e të dyja qeverive të mbahet normalisht dhe jo në këtë formë.
“Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar albinit për tu takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht ministrat e jashtëm dhe mbrojtjes për të diskutuar për këtë situatë, që po e çan në mënyrë demokratike Kosovën me bashkësinë euro-atlantike”, tha Rama para gazetarëve.
“Për fat të keq, me keqardhje më duhet të themi që nuk kem pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe të diskutohet për këtë, por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës, sot. Mbase, nuk është një përgjigje përfundimtare nga Kryeministri, shpresoj që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet kur e përsëris në kushtet që jemi në prag të lëvizjes së planit se nuk ma zë as goja të flasë për sanksione, të masave shtrënguese të një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushte të sosjes së durimit”, shtoi ai.
Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar në Kosovë, Rama thotë se “një plan realisht shumë i rëndë” do të vihet në lëvizje nga ndërkombëtarët.
“Kam bërë përpjekje për të kërkuar edhe pak kohë, nëse nuk e shfrytëzojnë këtë kohë për të një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë që plani që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, tha Rama.
Rama thotë se Kosova po futet në përplasje me ndërkombëtarët.