I kemi dëgjuar shumë herë autoritetet politike dhe zyrtare duke cilësuar futbollin vetëm me fjalë si një ogur për të zhvilluar të ardhmen ekonomike, kulturore, sportive dhe pse jo edhe turistike.
Por, në Gjilan kjo është jetuar në të kaluarën, frymohet në të tashmen dhe është vizion i të ardhmes – të bërit kulturë me futboll.
Rrjedh nëpër vena…
Derbi i qytetit mes Gjilanit dhe Dritës nuk ka nevojë të caktohet në kalendar. Atë e dinë të gjithë në mendjen e tyre, sepse e jetojnë me zemër një ngjarje të tillë.
Mesdita e të mërkurës në Gjilan ishte më ndryshe nga stresi i përditshëm i punëve në këtë vend. Tifozët e Dritës, “Intelektualët” caktuan sheshin e ri të qytetit si pikë takimin e tyre të parë.
Teksa vazhdonte grumbullimi, rrezet e forta të diellit përplasnin fytyrat e tifozëve që prisnin për bashkëtifozët e tyre që të mblidhen për të shkuar drejt stadiumit.
Ndërkohë, në ajër dëgjoheshin pëshpëritje të diskutimeve në rrugë dhe në lokale, ku tema kryesore nuk është as ndonjë ngjarje politike, as ndonjë thashethem i rastit – por një prej 10 derbi më të madh lokal në Evropë, ai mes Gjilanit dhe Dritës.
Intelektualët” në rrugët e Gjilanit, Foto: Telegrafi
Teksa koha po kalonte dhe emocionet sa po vinin e shtoheshin më shumë. Filloi parakalimi në qytet drejt stadiumit. Edhe shoferët më të nervozuar të komunikacionit stresus u relaksuan në ndaljen e tyre. Mund të jenë vonuar në destinacion, por kënaqësia e atmosferës vërehej në nervat e këtyre shoferëve të ngrysur.
Si një parakalim triumfal, tifozët “Intelektualët” marshonin rrugës kryesore të Gjilanit. Të gjithë me telefonë në dorë dhe jashtë lokaleve të tyre po shijonin atmosferën e tifozëve si një fllad në një të mërkure pune shumë të nxehtë.
“Ngadalë se po mi prish cigaret (sic.)”, u dëgjua një zë pasi paketimet e duhanit u përplasën në tokë nga disa tifozë “Intelektualë” që marshonin në rrugë, dhe në moment që u kthyen në shenjë kërkim falje po këta tifozë, pasi auto-përgjigja nga vet shitësi ambulant: “S’ka problem, vetëm vazhdoni përpara”, tha ai me një buzëqeshje duke ndjerë knaqësinë e derbit dhe parakalimit të tifozëve.
Në Gjilan, edhe qytetari që e ka shitjen dhe punën pjesë të përditshmërisë ekzistuese e përjeton derbin. Sepse rrjedh nëpër vena…
Në Gjilan, edhe qytetari që e ka shitjen dhe punën pjesë të përditshmërisë ekzistuese e përjeton derbin. Sepse rrjedh nëpër vena…
Skifterët” zgjodhën heshtjen para stuhisë…
Tifozeria që ishte në cilësinë e vendasit mbledhjen e parë e pati në “fanclubin” e tyre. “Skifterët” preferuan heshtjen, para stuhisë…
Requiem for a dream…
“Unë kam një ëndërr, ti po ma realizon”, ishte sllogani kryesor i Intelektualëve.
Edhe pse në mungesë objektivi, KF Gjilani megjithatë e kishte në dorë ëndrrën e madhe të derbit të madh. Vet derbi është ëndërr, pa marë parasysh kur zhvillohet dhe në cilat rrethana, tifozët e përjetojnë njëjtë, me kryeneçësinë dhe krenarinë të palëkundur në tribuna.
“Skifterët” kishin tribunën qëndrore dhe sërish u përkujdesën që të bëjnë art në ëndrrën e tyre të derbit.
Koreografia e “Skifterëve”, Foto: Telegrafi
Flamuri kombëtar i realizuar në një koreografi të disiplinuar mes tifozëve të të gjitha moshave dhe të dy gjinive, ishte ajka e këtij derbi, ashtu siç edhe e do tradita.
Arti i koreografisë ishte vetëm njëra pjesë e kulturës. Prezenca në tribuna e fëmijëve të vegjël, femrave, grave me fëmijët e tyre, çifteve dhe pleqve, e tregon se futbolli është kulturë në Gjilan, pavarësisht se cilin klub përkrah – ndjenja është e njëjtë.
Disiplina gjatë realizimit të koreografisë, Foto: Telegrafi
Përballë artit të Skifterëve ishte entuziazmi i “Intelektualëve” të cilët ëndrrën e tyre për titull po e bartnin në derbin e ëndrrave. Si një betejë mes dy ushtrive të fuqishme, këto tifozeri bënin luftën e tyre të nderit e krenarisë, por që në fund e kanë një të përbashkët – futbollin si kulturë në Gjilan.
Intelektualët” nuk u ndalën asnjë minut. Foto: Telegrafi
Një qëndisje e mirë e pasdites së futbollit që ngriti në këmbë Gjilanin i takoi organizatorit dhe policisë së Kosovës.
Vetëm vjetërsia e stadiumit që peshon mbi traditën e dy klubeve dhe tifozerive bëri diferencën e një organizimi tipik evropian, ku gjithçka ishte e kontrolluar dhe e siguruar në detaje, ndërsa fusha dukej si një skenë gjigante opere të një shfaqje teatrale futbollistike – dhe po, ndodhi kjo në Kosovë, në përfaqësuesin më të mirë të futbollit kosovar, në Gjilan.
Skifterët” bënë artin e tyre, Foto: Telegrafi
Të urrej, por të dua…
Harroni anën teknike. Rezultati 1-1 ishte epilogu i drejt i përplasjes kulturore në tribuna dhe sportive në fushë.
Teksa dielli po perëndonte, dyert e stadiumit po mbylleshin qetësisht me dy tifozeritë që të kënaqura me paraqitjet e klubeve dhe të vet atyre në tribuna drejtoheshin rrugëve dhe lokaleve të qytetit për të shijuar një kafe, me njëri-tjetrin.
Me fëmijë në krah, gra e burra nga “Skifterët” dhe “Intelektualët” buzëqeshën pas një pasdite të mrekullueshme të futbollit, në një të mërkurë që u duk si ditë pushimi dhe relaksi.
Qyteti që jeton futbollin, Foto: Telegrafi
Të shpeshta ishin pamjet kur dy fanellat i shihje duke ecur së bashku në rrugë dhe madje duke pirë kafe me debatin e zjarrtë për rrjedhën e lojës që pasohej nga buzëqeshje spontane të rastit mbi atë që ndodhi në tribuna, sepse ndjesia është e rëndësishme, një emocion që e formon kulturën e këtyre dy klubeve të dy tifozëve të një qyteti me një kulturë sportive.
Ishte minuta e 34, një pasim i ulët u lansua brenda zonës së Dritës. Era që po frynte në fillim të takimit valëviste mbi flamujt e KF Gjilanit. Kur ai preku topin, heshtja kaploi për një çast tribunën e madhe, teksa trupi i të gjithëve filloi të shkëputej lart në shenjë triumfale. Kur topi përplasi rrjetën e Dritës, ishte Ergon Hyseni ai që hapi krahët para tifozëve që po shkundnin pengesat pamëshirshëm nga gëzimi për golin e epërsisë, shumë të merituar deri atë moment.
Flamujt e KF Gjilanit, Foto: Telegrafi
Keni pritur zhgënjim dhe heshtje nga “Intelektualët”? Kështu nuk e do tradita në Gjilan. Festa nuk u ndërpre në asnjë moment nga tifozët “Intelektualët”, që nuk lejuan një gol t’i zgjojë nga ëndrra e tyre e bukur për titull.
Dhe, kur refuzon të zgjohesh nga ëndrra, ajo bëhet gjithnjë e më e bukur. Kur të gjithë të lodhur nga dielli dhe i nxehti, por jo nga të bërit tifozeri dhe brohoritje prisnin fundin e pjesës së parë, ishte momenti që gjumi i ëndrrës të shpaguhej kur Kastriot Rexha pas një topi të pranuar arriti kulmin e kësaj ëndrre, një gol që gëzoi të gjithë tifozët e Dritës të cilët nuk ndalën duke u festuar e duke u gëzuar, duke refuzuar me kryeneçësi të zgjohen nga ëndrrat.
Ata refuzuan të zgjohen nga ëndrra e tyre – Intelektualët besuan në skuadrën e tyre, Foto: Telegrafi
Rezultati 1-1 e lë në garë për titull Dritën me tri pikë më shumë se Prishtina, kurse Gjilani arriti objektivin më të madh, atë të rrëmbimit të zemrave të tifozëve me luftën në fushë.
Çfarë do që ishte rezultati në Gjilan, ky qytet dhe këto dy klube tashmë janë kampionë – kampionë të zemrave të futbolldashësve jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Evropën Juglindore, kampionë që dëshmuan se meritojnë shtëpi më të madhe e moderne për të treguar artin e kulturën që dinë ata të bëjnë më së miri, futbollin.
Qyteti i Gjilanit e ka trofeun, atë të të bërit art dhe kulturë me futbollin dhe me këtë është krenare gjithë Kosova./ GazetaSheshi /