Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka hudhur poshtë si të palejuar padinë për shpifje dhe fyerje e ushtruar nga Rexhep Selimi, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK ) ndaj Gazetës “Express” dhe Leonard Kerqukit.
Përmes aktvendimit të 4 majit 2023, Gjykata thekson se pas shqyrtimit dhe vlerësimit të provave, erdhi në përfundim se padia e paditësit Selimi është e palejuar, pasi që është paraqitur pas afatit ligjor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në aktvendim, thuhet se nga provat në shkresat e lëndës është vërtetuar se më 10 prill 2016, dokumentari kontestues i prodhuar nga “Gazeta Express” me titull “Shtabi i milionerëve” ku është përmendur edhe paditësi, përkatësisht pjesa e parë e këtij dokumentari, është transmetuar në televizionin “Klan Kosova”, ndërsa pjesa e dytë e po këtij dokumentari është transmetuar më 17 prill 2016.
Sipas aktvendimit, gjykata ka vlerësuar se më 20 prill 2016, paditësi me qëllim të reagimit ndaj këtij dokumentari, në zyrat e partisë “Lëvizja Vetëvendosje”, anëtar i të cilës është, kishte mbajtur konferencë për shtyp para medieve, ku vërtetohet se ka qenë në dijeni lidhur me dokumentarin kontestues para kohës kur ka paraqitur padinë në gjykatë.
Më tej, thuhet se pas vërtetimit të fakteve që kishin të bënin me afatshmërinë e padisë, gjykata arriti të vërtetojë se paditësi ka parashtruar padi jashtë afatit subjektiv prej tre muajve, të paraparë me nenin 17, pika 1 të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes.
“Gjykata vlerëson se nuk është arritur të vërtetohet në ndonjë mënyrë, se paditësi të jetë penguar në paraqitjen e padisë, e cila mund të ketë pasur për pasojë lëshimin e afatit”, thuhet në aktvendim.
Në fund të aktvendimit, gjykata konform nenit 450 dhe 463 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, ka vendosur që secila palë t’i bartë shpenzimet e veta procedurale, për shkak se kërkesa për kompensimin e shpenzimeve të procedurës nga e paditura nuk është specifikuar.
Ndryshe, më 13 maj 2022 paditësi Rexhep Selimi e kishte bërë plotësimin e padisë në aspektin subjektiv, ku përveç të paditurës “Gazeta Express”, ka ushtruar padi edhe ndaj Leonard Kerqukit, si autor i emisionit “Zona Express”, lidhur me dokumentarin kontestues të titulluar “Shtabi i milionerëve”.
Kurse, sipas padisë së 19 gushtit 2016, Rexhep Selimi ka paditur “Zona Express”, prodhim i “Gazetës Express” për shpifje dhe fyerje, pasi që thuhet se përmes valëve të “Klan Kosova” ka transmetuar dokumentarin e quajtur “Shtabi i milionerëve” që është transmetuar më 10 dhe 17 prill 2016, ku është përfshirë edhe Rexhep Selimi si ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Në padi thuhet se i padituri në dokumentarin e lartcekur ka publikuar informata të pavërteta lidhur me personalitetin e Selimit, ka vepruar me mospërfillje të pamatur për vërtetësinë e atij dokumentari, andaj në këtë rast është përgjegjës për shpifje dhe fyerje ndaj këtij të fundit.
Mbi këtë bazë, paditësi Selimi ka kërkuar të aprovohet padia e tij në tërësi, si dhe të obligohet i padituri që t’i demantojë të thënat e pabaza për Selimin dhe të kërkojë falje publikisht për publikimin e bërë. Po ashtu, të detyrohet i padituri t’ia kompensojë edhe dëmin e shkaktuar përfshirë dhe shpenzimet procedurale.
Ndryshe, Rexhep Selimi gjendet në qendrën e paraburgimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku bashkë me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin, po akuzohen nga Zyra e Prokurori të Specializuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit. /BetimipërDrejtësi