Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me një komunikatë për media ka konfirmuar lajmin për tragjedinë në lumin Lepencë, ku me veturë, një familje 4 anëtarëshe ka përfunduar në ujë, në anën e Maqedonisë së Veriut.
Nga ministria konfirmojnë po ashtu se njëri nga ta ka shpëtuar.
Në vendin e ngjarjes atje kanë shkuar ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe ambasadori jonë në Shkup Florian Qehaja.
MPJD po ashtu thonë se një ekip i kërkim-shpëtimit i FSK është nisur për në vendin e ngjarjes.
Njoftimi i plotë:
Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut njofton rreth aksidentit tragjik në aksin rrugor Bllacë-Shkup
Dje, me datë 17 qershor 2023, në orët e pasditës, pas një aksidenti në komunikacion, një veturë me targa të Republikës së Kosovës ka humbur drejtimin dhe ka përfunduar në lumin Lepenc.
Në veturë ndodheshin katër pjesëtarë të një familjeje nga Kosova. Njëri prej tyre ka arritur që të dalë nga lumi Lepenc, përderisa të tjerët janë në kërkim.
Në vendngjarje ka dalë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, të shoqëruar nga zëvendësministri i brendshëm i RMV Nazim Bushi.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes procedurave të përshpejtuara ka lehtësuar dhe koordinuar kalimin e njësiteve të specializuara të kërkim-shpëtimit nga Kosova për në territorin e RMV-së, pas kërkesës së autoriteteve maqedonase.
Krahas ekipeve të specializuara të Maqedonisë së Veriut, që në orët e hershme të mëngjesit pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit janë njësiti relevant nga FSK dhe ai nga Policia e Kosovës.
Për shkak të rreshjeve të shumta të ditëve të kaluara, operacioni është duke u realizuar me disa vështirësi por pa epilog deri më tani.
MPJD do t’ju mbajë të informuar rreth zhvillimeve të mëtejme.