Edhe të hënën, protestuesit serbë u mblodhën para Komunës së Leposaviqit.
E kësaj radhe, ata po protestojnë kundër arrestimit të personave që i sulmuan gazetarët.
Në binën e improvizuar, shumë prej tyre kërkuan lirimin e të arrestuarve.
Mirëpo, për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj medieve, gazetarët qëndruan larg protestës dhe nuk u afruan.
E për tridhjetë minuta, protesta përfundoi.
Me përfundimin e saj, u larguan edhe shumica e qytetarëve që po qëndronin në këtë anë.
Situatë e qetë ishte edhe në komunën e Zveçanit.
Në këtë komunë, kishte më pak se zakonisht pjesëtarë të KFOR-it.
E qytetarët po qëndronin në tendat që i kanë vendosur tash e disa ditë.
Protesta pati edhe në Komunën e Mitrovicës Veriore, kundër arrestimit të Millun Milenkoviqit.
Protestuesit marshuan nga përmendorja e “Car Llazarit” në veri të Mitrovicës, deri në Zveçan, duke bartur flamuj serb, pankarta me mbishkrimet “Stop terrorit nga Kurti”, si dhe fotografi të Milenkoviqit, ku shkruante “Nuk është fajtor”.
Ndërkohë, forca të shtuara të Policisë së Kosovës janë stacionuar nëpër disa lokacione përgjatë rrugës Mitrovicë-Zveçan dhe po e vëzhgojnë situatën nga afër.
Gjithashtu, postblloqet e Policisë së Kosovës janë shtuar edhe në rrugën kryesore nga komuna e Zveçanit deri në Leposaviq.
E gjatë së hënës, kishte kontrolle rutinore edhe të veturave që qarkullonin në këtë pjesë.