Më 16 qershor i sulmoi ekipet e gazetarëve. E tre ditë më vonë, për këtë veprim ky huligan serb ra në duart e organeve të rendit.
Bëhet fjalë për Urosh Vukashinoviç, banor i Leposaviqit, të cilit i pengoi prania e medieve kur ministri Elbert Krasniqi vizitoi këtë komunë.
Arrestimin e tij e konfirmoi Policia e Kosovës.
“Sot, në orët e hershme të mëngjesit është arrestuar i dyshuari i radhës mashkull serb U.V., me vendbanim në një fshat të komunës së Leposaviqit, i dyshuar për përfshirje në një rast sulm ndaj mediave/gazetarëve. Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ky është i dyshuari i tretë që arrestohet për sulmet ndaj gazetarëve.
Se arrestimi i tyre do të ndikojë pozitivisht tek pakësimi i sulmeve ndaj gazetarëve e thotë njohësi i sigurisë, Bedri Elezi.
“Ky numër është i vogël por padyshim do të ndikojë pozitivisht në zbatimin e ligjit dhe më pas do të ndikojë pozitivisht tek qytetarët të cilët eventualisht do të mbështetnin këto grupe kriminale dhe do ta kuptonin se një ditë do të vendoseshin para drejtësisë dhe do të përgjigjeshin për veprimet e tyre”, tha Elezi.
Ndërkaq është pikërisht ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ai i cili ka njoftuar për arrestimet e dy serbëve të tjerë, Nemanja Vllashkoviç dhe Dalibor Spasiç- edhe këta autorë të sulmeve ndaj medieve kosovare.
Mirëpo postimet e tij po i kritikon njohësi i çështjeve politike, Tomorr Avdia.
“Këto veprime duhet të shkojnë të shkallëzuara, pa krijuar ndonjë vakum mes tyre ose përplasje politike pasi që kjo është detyrë ekskluzive e organeve të drejtësisë; policisë, prokurorisë dhe gjykatës dhe ministri duhet të jetë i kujdesshëm me postimet e tij, duhet të ketë më shumë në prapavijë se sa të deklarojë këto veprime”, tha ai.
Me këto veprime, sipas tij, mund të dëmtohet puna e organeve të drejtësisë.
“Duhet të bëhet kujdes pasi çdo veprim mund të krijojë një kundërpeshë çfarë shkon në kundërshtim me operacionet policore.”, shtoi ai.
Sulmet e serbëve ndaj gazetarëve filluan që pas përshkallëzimit të situatës më 26 maj.