Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka dal me një video adresim për qytetarë të komunitetit serb të Republikës së Kosovës.
Ai nis duke kërkuar falje që u desh të mbahen zgjedhje në katër komuna në veri me një pjesëmarrje kaq të ulët, por arsyetohet se fillimisht e shtynë ditën e zgjedhjeve për katër muaj me shpresën që Lista Serbe do të merrte pjesë dhe se bashkësia ndërkombëtare i kishte premtuar që nëse Kosova pranon aneksin e Ohrit, do të sigurojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje.
Kurti tutje përmend faktin që Aleksandar Jabllanoviqi doli nga gara dy ditë para, siç e theksoi, fitores së sigurt në Leposaviq.
“Kam dëgjuar se ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd. Mund të mos jetë e vërtetë, por gjithsesi duhet të jetë shumë presion apo ofertë shumë luksoze, gjë që e bëri Jabllanoviqin të thotë se nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë”, deklaron Kurti në video-mesazhin e tij drejtuar serbëve të Kosovës.
Ai tutje shton se tashmë kryetar i komunës është Lulzim Hetemi, derisa të zgjidhet një i ri, dhe se për këtë “kemi nevojë për zgjedhje të parakohshme dhe një fushatë të hapur, të lirë, parazgjedhore në 4 komuna në veri. Me sundimin e ligjit, gradualisht mund ta zvogëlojmë numrin e policëve në ndërtesat komunale”.
Kreu i Qeverisë së Kosovës u thotë qytetarëve serbë në vendin tonë se Aleksandar Vuçiqi sot përfaqëson gatishmërinë e Serbisë për të humbur një luftë tjetër dhe se në të njëjtën kohë ai është garancia e tyre që vitet ’90 nuk do të bëhen të kaluara.
“Unë nuk jam për luftë. Unë jam kundër luftës. Unë jam socialdemokrat. Kam vuajtur gjatë luftës, kam qenë rob lufte për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ai duket se ka vetëm kujtime të mira nga lufta dhe ndjenja të tilla, sepse edhe atëherë ishte në pushtet si ministër i Millosheviqit, dhe ndryshe nga sot, kishte pushtet edhe pa detyrime sepse Millosheviqi mbante të gjithë përgjegjësinë”, thotë mes tjerash Kurti.