Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të një personi në Graçanicë me inicialet D.M, i dyshuar për krime lufte.
Sveçla ka thënë se “pjesëmarrësit në krimet makabre gjatë luftës në Kosovë duhet të mbahen përgjegjës”.
“Ndaj personit të arrestuar sot në Graçanicë, ka patur një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës”, ka shkruar ai në Facebook.
Më tutje, ka folur për veprimet që personi akuzohet që ka kryer.
“Në cilësinë e gardianit të burgut në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, gjatë asaj periudhe, në mënyrë sistematike, dyshohet se ka ushtruar torturë e dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë”.
“Gjatë kontrolleve të zhvilluara dhe bastisjes në banesën e të dyshuarit ditën e sotme, janë gjetur dhe konfiskuar armë ilegale në posedim të personit”, ka thënë Sveçla.
Ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës për aksionin.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për punën e jashtëzakonshme të zhvilluar gjatë hetimeve si dhe për arrestimin. Sado që vitet kalojnë, keqtrajtimet dhe torturat e atyre viteve nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar. Përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë”, ka deklaruar ai.