Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka publikuar disa fotografi të këshilltarës së kryeministrit Albin Kurti, Ardita Sinanit me ish-ministrin e Brendshëm të Serbisë, tashmë drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandër Vulinin.
Këto fotografi i njëjti i ka shpërndarë në rrjetin social Facebook.
“Tregojini këto fotografi aparatçikit të partisë në pushtet, Ramabajës, i cili shpifte paskrupullt në debatin e mbrëmshëm televiziv për të krijuar konspiracione bashkë me mjete e insinuata tjera propagandistike kundër meje”.
“Sa për sqarim: Në foto është Këshilltarja e Kryeministrit Kurti, Ardita Sinani me Vulinin dhe pyesni atë, se kjo foto a e bënë Sinanin tani bashkëpuntore të Vulinit, meqë paska vizituar së bashku me Vulinin një manifestim lokal në Preshevë”, ka thënë Arifi.
Sipas tij, historia na mëson se lajkatarët dhe servilët e pushtetit do të përfundojnë të turpëruar.
“Historia na mëson se lajkatarët dhe servilët e pushtetit, herët a vonë do të përfundojnë të turpëruar si plagë të rënda të shoqërisë sonë!”, ka shkruar Arifi.