Drejtues të Kompanisë “EcoHigjiena” kanë bërë të ditur se kanë arritur një marrëveshje me Komunën e Gjilanit, për mirëmbajtjen e sipërfaqeve publike, trotuareve dhe parqeve të qytetit, por vetëm për pesë muaj dhe në të nuk përfshihen të gjitha rrugët dhe parqet.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Kompanisë “Ecohigjiena”, Senad Ramaj, pas 18 muajsh, Komuna e Gjilanit ka nënshkruar një kontratë të përkohshme të shërbimit publik me Eco-Higjiena. Kjo kontratë zgjatë më së shumti 5 muaj dhe se mundëson që 20 punëtorë të rikthehen në punë, për 5 muaj, ndërsa në anën tjetër, kontrata përfshin më pak parqe dhe hapësira të gjelbra për mirëmbajtje në Gjilan, që nënkupton pastrimin e trotuareve dhe larjen e disa rrugëve një herë në javë, dhe mirëmbajtjen e varrezave.
“Nëse parku në lagjen tuaj dhe shtrati i lumit nuk është përfshirë në mirëmbajtje, apo monumentet nuk janë mirëmbajtur në fshatin tuaj atëherë, kjo nuk është një dështim i kompanisë sonë apo të punësuarve tanë, por shërbimet e tilla nuk kërkohen nga komuna”, thotë Ramaj,
Ai thotë se në muajt e ardhshëm do të rihapet sërish një tender në të cilin shpresojnë se do të gjendet një zgjidhje afatgjate ku do të përfshihen të gjitha punët e domosdoshme.
“Nëse qytetarët kanë ankesa në lidhje me gjendjen në lagjen e tyre atëherë, ju lutem i drejtoheni Drejtorit të Shërbimeve Publike, meqenëse Eco-Higjiena nuk mund të bëjë më shumë jashtë kornizës së arritur me marrëveshje, pa një urdhër-kërkesë me shkrim nga ana e komunës”, ka thënë tutje Ramaj.
Përndryshe, pas kësaj periudhe që përfshinë marrëveshja që Ramaj e quan kalimtare, ai shpreson se Drejtoria e Shërbimeve Publike, do të përgatitë një formë të shërbimit më të mirë dhe afatgjate për Komunën e Gjilanit.
“Në këtë mënyre do të sigurohen po ashtu vendet e punës të atyre punëtorëve të cilët me punën e tyre e bënin krenar Gjilanin me parqet dhe bulevardet përplot lule të bukura”, ka thënë drejtori ekzekutiv i Kompanisë “Ecohigjiena”, Senad Ramaj, për të ofruar edhe një tabelë ku pasqyrohen zonat e gjelbëruara dhe sipërfaqeve që do të mirëmbahen.