Komisioni për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga kryesuesja Arlinda Muqa, ka mbajtur sot takimin e radhës, në të cilin ka shqyrtuar kërkesën buxhetore për vitin 2027 dhe vlerësimet buxhetore për vitet 2028–2029 për sistemin prokurorial.
Në takim morën pjesë anëtarët e Komisionit, Ersan Qavolli, Sebahate Sinani, Shkëlzen Ibrahimi dhe Blerim Igrishta, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, udhëheqësja e Divizionit për Buxhet dhe të Hyra, Nora Qerkezi, dhe sekretari i Komisionit, Ekrem Lutfiu.
Gjatë prezantimit të kërkesës buxhetore, Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Sami Istrefi, bëri të ditur se për vitin 2027, kërkesa për paga është 2,562,666 euro, ndërsa për shpenzime të tjera janë paraparë 636,849 euro.
Me këtë rast, z. Istrefi informoi anëtarët e Komisionit edhe për përfundimin e projektit për Pallatin e Prokurorit të Shtetit, duke theksuar rëndësinë e sigurimit të mbështetjes financiare nga Qeveria e Kosovës, partnerët dhe donatorët për realizimin e këtij investimi të rëndësishëm për sistemin prokurorial.
Po ashtu, Drejtori i SKPK-së, Sami Istrefi, njoftoi se kanë filluar procedurat për hartimin e projekteve për ndërtimin e objekteve të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe të Prokurorisë Themelore në Prizren, projekte këto që kërkojnë mbështetje institucionale dhe financiare, me qëllim të krijimit të kushteve të përshtatshme për punën dhe funksionimin efikas të Prokurorit të Shtetit.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm, z. Istrefi, paraqiti gjithashtu sfidat me të cilat është përballur në sigurimin e buxhetit të nevojshëm për paga dhe shpenzime të tjera, në përputhje me kërkesat që dalin nga Ligji për Paga.
Pas prezantimit dhe shqyrtimit të materialeve përkatëse, Komisioni miratoi kërkesën buxhetore për vitin 2027 dhe vlerësimet buxhetore për vitet 2028–2029, duke vendosur që ato t’ia përcjellë Këshillit Prokurorial të Kosovës për shqyrtim dhe trajtim të mëtejmë.
https://prokuroria-rks.org/artikulli/21267
#SistemiProkurorial #KeshilliProkurorialKosoves










