Për arsyet e lartcekura, një nga rekomandimet kryesore të koalicionit të OJQ-ve kishte qenë rekomandimi që KPK të plotësoj dhe ndryshoj Rregulloren për Procesin e Përzgjedhjes dhe Emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve, me theks të veçantë formularin e koncept dokumentit.
Tejkalimi i fazës së dëgjimit publik për një rregullore me rëndësi të veçantë për sistemin prokurorial e kthen mbrapa Këshillin sa i përket transparencës dhe llogaridhënies në raport me qytetarët, shoqërinë civile dhe mediat në Republikën e Kosovës. Po ashtu, mos inkorporomi i publikut në fazën e draftimit të këtyre akteve i’u pamundëson këtyre të fundit të shprehin interesimin për pjesëmarrje në procesin e konsultimit publik për të dhënë propozime dhe komente në çështje të ndryshme.
Andaj, IKD kërkon nga KPK që ti respektojë standardet minimale sa i përket konsultimit publik në hartimin e akteve të Këshillit, dhe në rastin konkret të mos e miratojë ndryshim/plotësimin e rregullores së lartcekur por të njëjtën ta tërheq nga rendi ditës së takimit të 231-të dhe ta obligojë Komisionin për Çështje Normative që aktin e tillë ta vë në dëgjim publik sipas afateve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2023 për Hartimin e Akteve Normative të KPK-së.