Inspektorati Komunal në Kamenicë e ka gjobitur me 600 euro kompaninë “Arbor Group” – e cila është në pronësi të kryetarit të degës së PDK-së në këtë komunë, Granit Berisha – për degradim të ambientit. Megjithatë, zyrtari i PDK-së mohon të ketë pranuar gjobë, duke thënë se i ka ardhur vetëm procesverbali.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar inspektorin komunal të Komunës së Kamenicës, Ibrahim Kastrati, i cili ka thënë se kompania në pronësi të kreut të degës së PDK-së në këtë komunë nuk ka pasur leje për punime.
“Ka eskploatu gurë. Ne kemi rregullore komunale; për çdo gërmim në hapësirat publike nuk është çare na pa marrë masa. E kom edhe aktvendimin që është gjobit. Bujar Berisha, drejtori i kompanisë, ai është gjobit”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, Berisha e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se gjithçka ka ngelur në procesverbal.
“Procesverbali i perpiluar nga Inspektorati Komunal ka mbetur vetem Procesverbal dhe nuk ka gjobe te shqiptuar, te pakten ne nuk kemi informacione per gjoben, perfaqesuesi yne ligjor/drejtori ka qene ne vend te ngjarjes dhe nuk eshte qe eshte shqiptuar ndonje gjobe e caktuar”, ka deklaruar ai për Insajderin.
“Kjo nuk është asgjë më shumë se një tentativë për të frenuar zërat kritik në Kamenicë për keqqeverisjen dhe skandalet që po e ndjekin këtë qeverisje”, ka thënë më tej Berisha.
I njëjti ka thënë se secili veprim i kompanisë së tij ka qenë në dijeni dhe në bashkëpunim me zyrtarët komunalë.
Gazeta Insajderi gjithashtu ka siguruar edhe procesverbalin e inspektoratit komunal drejtuar kompanisë së Berishës së PDK-së.
Në procesverbal, thuhet se dy kamionë kanë hedhur material ndërtimor në hapësirat publike.