Në ambientet e Bibliotekës Ndërajonale “Fan S. Noli” në Gjilan, këtë të shtunë është promovuar libri me poezi “Vallja e ringjalljes” i autores Nazmije Xhaferi – Hasani, që është libri i pestë i kësaj autoreje, shkruan kryelajmi.com.
Moderatori i kësaj ngjarje kulturore, Tahir Arifi, ka theksuar se libri pestë i kësaj poeteje karakterizohet thjeshtësi rrëfimi dhe ku dominojnë vargjet me ngarkesa morale, derisa Vigjilent Kurti ka deklamuar poezi të përzgjedhura.
Sherafedin Kadriu, redaktor i librit ka theksuar se dhjetë cikleve të poezive të Nazmije Hasanit u prin motivi i kurbetit. Motivi i asaj plage që le s’u shëndosh, po as nuk u përtha, por po qelbet për ditë e më shumë. Poezitë vijnë me tematikë të ndryshme e semantikë të strukturuar artistikisht, zakonisht rrëfehen nëpërmjet trajtës lirike, me një ritëm që vjen e shpejtohet për shkak të strofëzimit. Është e vërtetë, që poetja nuk e angazhon në kuptimin intelektual poetikën sepse asaj i intereson dukuria. Ajo e di se lexuesit nuk i duhet e vërteta e fakteve, por e vërteta e ëndrrës (sipas Borhesit), ndryshe thënë, realiteti i imagjinatës. Realitet ky, që i tejkalon dituritë që edhe ashtu janë të pakta në krahasim me imagjinatën. Imagjinata ku nuk shkon, para çdo mendimi të shpejtuar e imagjinata e poetes është bota e saj krijuese me një ndjesi të hollë të ndikuar nga motive të ndryshme, të brendshme dhe të jashtme. Pastaj, ndjesia e derdhur në varg shkrihet në tërësinë e fjalorit të pasur e komunikues me lexuesin e vet.
Sipas kritikut Sherafedin Kadriu, poezitë e Nazmije Hasanit janë poezi multidimensionale për të drejtën e njerëzore e për jetën personale, andaj në këto poezi është edhe gëzimi, aty është hareja, aty është edhe lumturia.
Hysen Këqiku, recensent ka thënë se poezitë e Nazmije Hasanit janë personale dhe impersonale, me ndjenja personale e me dhimbjen e të tjerëve. Ajo thurë vargje në mënyrë të perfeksionuar, me ligjet e estetikës dhe të harmonisë së shprehjeve, trajton ndodhitrë e popullit me të cilin jeton, ka gjetje imagjinatave, gjuhë të pasur, narracion poetik, figura e shprehje poetike, derisa studiuesi Arsim Halili, që ka lexuar recensionin e poetit Nexhat Rexha, tha se Nazmije Hasani në poezitë e saj unifikon artin poetik me bëmat dhe përvojat jetësore, ka shtrirje funksionale nëpër kohë e hapësirë, derisa poezitë e saj kanë edhe motive të përditshmërisë.
Siç ka theksuar edhe vetë autorja e librit “Vallja e Ringjalljes”, Nazmije Xhaferi – Hasani, ajo ka hyrë në letrat shqipe duke qenë profesoreshë e letërsisë dhe gjuhës shqipe dhe se mosha e pensionimit ka qenë koha kur ajo idetë e saj të kahmotshme i ka shpërfaqur falë edhe miqve të saj dhe redaktorëve e recensentëve që e kanë përkrahur në rrugëtimin e saj. Gjithsesi se poezitë e saj janë me vlerë e vetë autorja e librit ka falënderuar të gjithë me radhë, Kuvendin Komunal të Gjilanit për përkrahjen financiare, ata që janë pjesë e librit, familjarët, nipat dhe mbesat e shumtë dhe të gjithë ata që duan dhe janë pranë librit./kryelajmi.com/.