Ish-Presidenti i 42- të amerikan, Bill Clinton, vizitoi ditën e djeshme për herë të parë Shqipërinë.
Vizita e tij dy ditore përkoi me festën e Pavarësisë së SHBA-së. Ai u prit me ceremoni para kryeministrisë ku më pas mbaji një fjalim së bashku me kryeministrin Rama, si dhe u nderua me “Yllin e Mirënjohjes.”
Clinton u largua ditën e sotme nga Shqipëria dhe përmes një postimi në Twitter ka ndarë përshtypjet e tij nga vizita.
Ai i ka shprehur falenderimet kryeministrit Rama dhe qytetarëve shqiptarë.
Ish-Presidenti amrikan shkruan se ka kaluar një pasdite që nuk do e harrojë kurrë, duke iu referuar ceremonisë së djeshme ku ai u nderua me çmimin e “Yllit të Mirënjohjes për Arritjet Publike”.
Më tej ai shprehet se ka qenë nder të punonte krahas shqiptarëve përgjatë viteve, për të forcuar lidhjet e miqësisë mes dy vendeve dhe për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë.
“Faleminderit nga zemra Kryeministrit Edi Rama dhe popullit të Shqipërisë për një mbrëmje që nuk do ta harroj kurrë. Ka qenë nderi im që punoj me ju për kaq shumë vite për të forcuar lidhjet e miqësisë midis vendeve tona dhe për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë”, shkruan Clinton.