Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën në mbledhjen e vet Ligjin për reformat pensionale që siguron se punëtorëve të viteve të 90’ta do t’iu njihen kontributet.
Ministri i Financave, Hekuran Murati është shprehur se kjo ka qenë një padrejtësi e madhe të cilës po i vjen fundi.
“Ka pasur një diskriminim në aspektin që është mbajtur pragu për 15 vite stazh pune por nuk është marrë parasysh heqja e dhunshme nga puna. Si rezultat i largimit të dhunshëm kanë mbetur shumë persona që kanë kontribuar mbase 14 vite e 11 muaj, por s’kanë arritur ta plotësojnë kushtin. Ne po e zhbëjmë këtë diskriminim sepse do t’u llogaritet drejt plotësimit të kushteve prej 15 vitesh ndërsa lartësia e pensionit do të përcaktohet në bazë të viteve të kontributeve”, tha ministri Murati.
Sipas tij, rreth 70 mijë persona kualifikohen si përfitues nga ndryshimi i këtij ligji.