Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim tre policët e Kosovës, të kidnapuar nga Serbia dhe të liruar ditë më parë.
Sipas njoftimit, Osmani ju ka uruar mirëseardhje policëve dhe në të njëjtën kohë ka falënderuar gjithë Policinë e Kosovës për angazhimin e vazhdueshëm për një mjedis të sigurt dhe të qetë.
“Policia e Kosovës është institucioni kyç për integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës e njohim përkushtimin dhe sakrificën tuaj, por edhe të të gjitha grave dhe burrave në uniformë policore, të cilët e mbrojnë Republikën në çdo cep”, ka theksuar Osmani.
“Të tre policët kanë falënderuar Presidenten Osmani për pritjen dhe shprehën përkushtimin për vazhdimin e angazhimit të tyre në funksion të sigurimit të një mjedisi paqësor dhe tërësisë territoriale të Kosovës”, thuhet tutje.