Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka folur për kontributin financiar që diaspora e jep në Kosovë, duke thënë kontributin më të madh për stabilitet ekonomik dhe social e ka diaspora.
Por, sipas Gërxhaliut, diaspora e Kosovës e meriton një tretman më ndryshe e jo siç tha ai, që kontributi i saj të matet vetëm me kutin financiar se sa para dërgon në Kosovë.
“Është padrejtësi e madhe kur flitet se diaspora dërgoi vetëm 1 miliard e 222 milionë euro në vitin 2022. Duhet të kuptohet se ka forma direkte e indirekte të dërgimit të parave. Këtu flasim vetëm për transaksione bankare apo për mjete të dërguara përmes institucioneve kredibile bankare”.
“Por, diaspora jonë më së shumti shpenzon më së shumti kur ajo qëndron në Kosovë. Kontributi i diasporës brenda një viti në Kosovë është më i madh sesa vet buxheti i Kosovës”, tha Gërxhaliu në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se shtetet se prej nga më së shumti vijnë para nga diaspora janë në recesion ekonomik, dhe kjo mund të ndikojë jo mirë.
“Viti 2023 i ka sfidat e veta. I ka lëkundjet sa i përket aspektit gjeostrategjik. Shtetet ku më se shumti vijnë para nga diaspora, tri prej tyre janë në recesion ekonomik falë inflacionit dhe trendeve negative në ekonomi dhe në këtë drejtim institucionet duhet të bëjnë më tepër”, tha ai.