Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka thënë se do të votojë kundër miratimit të Projektligjit të Tatimit në pronë, i cili parasheh faljen e 100 eurove për tatimpaguesit këtë vit.
Rrahmani ka deklaruar se do të votojë në parim për kalimin e projektligjit në lexim të parë, por nëse nuk ndërrohet përmbajtja ka thënë se do të votojë kundër në lexim të dytë.
Ai ka kërkuar që falja e tatimit në pronë për këtë vit t’i vihet në barrë nivelit qendror, e jo nivelit lokal.
“Ky projektligj i prek direkt të hyrat e komunave dhe mendoj që është dashur të ketë më shumë koordinim me komunat. Unë në parim do ta votoj këtë projektligj, mirëpo në lexim të dytë nëse vjen me këtë përmbajtje nuk do ta votoj. Nuk do ta votoj për shkak se nuk besoj që kemi të drejtë që t’ua ndalim të hyrat komunave prej nivelit qendror. Nëse qeveria mendon që duhet t’i falen secilit qytetar deri në 100 euro tatim në pronë, atëherë duhet të bëhet përmes buxhetit të nivelit qendror, mirëpo asesi nuk bën të ndërhyhet në të hyrat e komunave, të cilat varen nga këto të ardhura”, ka thënë Rrahmani.
Rrahmani ka deklaruar se ky projektligj “është i gabueshëm dhe besoj që dëmtohen jashtëzakonisht komunat; sidomos komunat e vogla”.