Ishte një nga protagonistët në përleshjen e sotme në Kuvendin e Kosovës, por Hajdar Beqa, i cili shihet të jetë pjesë e përplasjeve thotë se “nuk e di se si syzet e tij (Hekuran Muratit) përfunduan në dorën time” ndonëse shihet në video teksa ia ngre syzet nga fytyra ministrit Murati.
Ai foli rreth përplasjes fizike të sotme, e cila nisi nga zëvendëryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që shqeu fotografinë që ishte vendosur si aksion simbolik dhe demokratik opozitar.
Beqa tha: “Unë e kam parë Hekuran Muratin duke sulmuar deputetët tanë, dhe nuk e di se si syzet e tij kanë përfunduar në dorën time, kur i kam parë syzet vetëm ia kam dorëzuar syzet atij”.
“Unë dhe deputetët e PDK-së ishim të interesuar të shmangim këtë situatë dhe këtë tension. Shihet në kamera që ata i sulmojnë së pari deputetët tanë. Keni parë reagimin e Bislimit kur deputetja Musliu e vendosi foton te karrigia e Kurtit. Hedhja e ujit nga ana e Lushtakut nuk ishte sulm. Situata ka qenë e pakëndshme”, tha ai në T7.