Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thënë se zbardhja e koordinimit të fshehtë të përfaqësuesit të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, përfaqësues të Listës Serbe, për çështjen e veteranëve, është thikë pas shpine, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se Kosova nuk mund të qëndrojë e qetë, në kohën kur sipas tij, Qeveria na e ngulë thikë pas shpine aty ku dhemb më së shumti, në lidhjen më të shenjtë të Kosovës, me NATO-n, Amerikën dhe me kategoritë e lirisë.
“Zbardhja e koordinimit të fshehtë të përfaqësuesve të Albin Kurtit me armiqtë e shtetit të Kosovës, për të përmbysur kategorinë më të shenjtë – luftëtarët e lirisë, është thikë pas shpine. Thikë pas shpine është edhe prishja e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës, BE dhe SHBA, që rezultoi me përjashtimin e Kosovës nga “Defender 23”, duke e komplikuar tej mase aspiratën e Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike. Tërheqja e tij nga veriu, me një vonesë të pashpjegueshme dhe vetëm pasi që Kosova është futur nën sanksione të BE-së dhe të SHBA-së, duke i shkaktuar kështu një dëm të pariparueshëm vendit, nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç si një politikë antishtetërore e antikombëtare”, shkroi ai.
Haradinaj foli edhe për situatën e djeshme në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës u përleshën fizikisht me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtarët e kabinetit qeveritar.
Ai pohoi se ky është alarm që situata mund të përshkallëzohet edhe jashtë Kuvendit.
“Ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës dhe dhuna e shpërfaqur aty, janë alarm se situata mund të përshkallëzohet, jo vetëm në Kuvendin e Kosovës por edhe jashtë tij. Kosova nuk mund të qëndrojë e qetë, në kohën kur Qeveria e vendit, na e ngulë thikë pas shpine aty ku na dhemb më së shumti, në lidhjen më të shenjtë të Kosovës, me NATO-n, Amerikën dhe me kategoritë e lirisë. Do të jemi të pakompromis dhe më të vendosur se kurrë në mbrojtje të interesave të shtetit e të qytetarit, aspiratës sonë për anëtarësim në NATO, në ruajtjen e miqësisë me aleatët tanë, Amerikën dhe BE e në mbrojtje të vlerave të lirisë sonë”, tha Haradinaj.